Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Brazil për takimin në nivel ministrash të G20-ës, ku temë kryesore pritet të jetë lufta në Ukrainë dhe ajo në Rripin e Gazës. Zoti Blinken ka zhvilluar një takim me Presidentin e Brazilit, i cili ka kritikuar ashpër luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili ndodhet në Brazil për takimin e G20-ës, u takua sot me Presidentin e Brazilit, Luiz Inacio da Silva, i cili e ka kritikuar ashpër luftën e Izraelit kundër Hamasit dhe numrin e lartë të viktimave në mesin e civilëve.
“Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është luftë, por gjenocid. Nuk është një luftë mes ushtarëve. Kjo është një luftë mes një ushtrie të përgatitur mirë dhe grave e fëmijëve”, tha Presidenti brazilian të dielën gjatë një vizite në Etiopi.
Izraeli tha të hënën se Presidenti brazilian nuk do të jetë i mirëpritur në Izrael nëse nuk tërheq komentet e tij.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha të martën se administrata e Presidentit Biden nuk është dakord me komentet e Presidentit brazilian.
“Ne kemi qenë të qartë se nuk besojmë se ka gjenocid në Gazë. Ne duam që konflikti të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne duam që të shtohen ndihmat për civilët e pafajshëm në Rripin e Gazës. Por ne nuk jemi dakord me komentet e Presidentit brazilian”, tha ai.
Një ekspert tha për Zërin e Amerikës se Presidenti Lula Inacio da Silva po përpiqet të ngrejë zërin për disa çështje për të cilat vendi i tij ka pak ndikim.
“Ai po përpiqet të ushtrojë ndikim për çështje që ai ka ndikim të kufizuar, si lufta në Ukrainë dhe ajo në Gazë. Ne duhet ta pranojmë se Brazili nuk ka fuqi në politikën e jashtme për të ndërhyrë në këto zona. Ne jemi më të fortë në çështjet e mjedisit, sigurisë ushqimore dhe energjisë. Ne duhet të përqendrohemi në këto çështje”, thotë ish ambasadori brazilian në Shtete e Bashkuara, Rubens Barbosa.
Zoti Barbosa thotë se nuk e kupton pse Presidenti brazilian po hesht për gjendjen në Venezuelën fqinje, një çështje, që Sekretari Blinken pritet ta ngrejë në takimin e G20-ës në Rio de Zhaneiro dhe takimet që ai do të ketë me udhëheqësit e Argjentinës të premten.
Qeveria e Venezuelës dhe opozita u takuan të hënën në Karakas për të diskutuar mosmarrëveshjet e tyre mbi burgosjen e një avokati të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për një marrëveshje mbi krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të drejta këtë vit.
Një diplomat i lartë brazilian tha në prag të takimit të G20-ës se konfliktet në botë kanë arritur në nivelin e Luftës së Ftohtë dhe se udhëheqësit botërorë duhet të bëjnë ndryshime në sistemin ndërkombëtar për të parandaluar konflikte të reja.
Në Argjentinë, Sekretari Blinken do të zhvillojë bisedime me Presidentin e ri të vendit, Javier Milei, i cili është një mbështetës i fortë i Izraelit.