Lidhje

Tensionet mes Kinës dhe Tajvanit


Marina tajvaneze përzuri të martën një anije të rojës bregdetare kineze që u fut në ujërat pranë ishujve të saj, një ditë pas një incidenti mes një anije turistësh tajvanezë dhe rojës bregdetare kineze.

Roja bregdetare tajvaneze njoftoi se një anije e rojës bregdetare kineze kishte hyrë në ujërat e Tajvanit, duke shtuar se kishte vënë në shërbim një anije të marinës dhe kishte përdorur transmetimet radiofonike për të zmbrapsur anijen kineze, e cila u largua një orë më vonë.

Roja bregdetare e Tajvanit tha se do të vazhdojë të përdor radarët dhe të zhvillojë patrullime për të siguruar "harmoninë dhe sigurinë" pranë ujërave të ishujve Kinmen të kontrolluara nga Tajvani, që ndodhen pranë brigjeve të Kinës.

Tajvani, të cilin Kina e pretendon si territorin e saj pavarësisht refuzimit të ishullit, ka qenë i kujdesshëm ndaj përpjekjeve të Pekinit për të shtuar presionin mbi Taipein pas zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar. Tajvani zgjodhi zotin Lai Ching-te si president të vendit, të cilin Pekini e konsideron si një separatist të rrezikshëm.

Kina njoftoi të dielën se roja e saj bregdetare do të fillojë patrullime të rregullta dhe do të zhvillojë aktivitete të zbatimit të ligjit rreth ishujve Kinmen, pas vdekjes së dy shtetasve kinezë që kishin hyrë në ujërat e tajvaneze shumë afër ishujve Kinmen.

Ishujt Kinmen ndodhen pranë qyteteve kineze Xiamen dhe Quanzhou dhe janë kontrolluar nga Taipei që kur qeveria e mundur e Republikës së Kinës u vendos në Tajvan në vitin 1949 pasi humbi luftën me komunistët e Mao Ce Dunit, të cilët krijuan Republikën Popullore të Kinës.

XS
SM
MD
LG