Në Kolorado, në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, doktorët po ndihmojnë një refugjate ukrainase që u diagnostikua me një formë agresive të kancerit të zorrës së trashë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Svitlana Prystynska, njofton nga qyteti Estes Park, në vargmalet Rocky.
Larysa Ikliienko dhe nëna e saj u larguan nga qyteti Kharkiv në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë të forcave ruse.
“Shtëpia e nënës time u shkatërrua. Një pjesë e çatisë u shkatërrua. Kur u zhvendosëm në Shtetet e Bashkuara kuptuam se nuk është e lehtë gjetja e një shtëpie të re për ne”, thotë Larysa.
Ato erdhën në qytetin Estes Park në Kolorado, për t’iu bashkuar vajzës së saj, Iryna, e cila e nxiti të bënte kontrolle mjekësore pas stresit të kaluar nga largimi nga Ukraina.
“Ajo u paraqit për një kolonoskopi të rregullt, që rekomandohet tashmë të bëhet nga mosha 45 vjeçare. Mendoj se ishte në atë kohë 59 vjeçe dhe nuk e pati bërë ndonjëherë më parë kolonoskopinë. Rezultoi me kancer të fazës 2”, tregon Dr. Jennifer McLellan, nga Qendra Mjekësore në Estes Park.
Dr. McLellan thotë se kanceri ishte i avancuar dhe agresiv, por se ajo nuk tregonte shenja të dukshme simptomash.
“Kur zbuloi se e kishte, atëherë kuptoi se kishte patur disa simptoma që kishte menduar se ishin për shkak të stresit dhe për shkak të gjithçkaje që po ndodh me Ukrainën”, thotë Dr. McLellan.
Shpenzimet për ndërhyrjen kirurgjikale u mbuluan nga programi amerikan për refugjatët, “Uniting for Ukraine”. Sistemi i kujdesit shëndetësor i Universitetit të Kolorados ofroi pjesën më të madhe të kujdesit pas operacionit. Iryna thotë se me këto veprime u shpëtua jeta e nënës së saj.
“Zakonisht kërkon kohë që të bëhet biopsia, të merren rezultatet dhe pastaj pritja e gjatë për përgjigjen. Por, doktore McLellan e kuptoi menjëherë. Ajo, bekuar qoftë, e dinte menjëherë se çfarë ishte dhe u përfshi me shpejtësi. Na lidhi me specialistët më të mirë. Prandaj e dija se do të merrte kujdesin më të mirë shëndetësor. Ishte mahnitëse të shikoje një grup profesionistësh të mbledhur së toku për ta ndihmuar”, thotë Iryna.
Larysa ishte inxhiniere në Ukrainë. Tashmë ajo punon në një dyqan sanduiçësh për të përmirësuar anglishten dhe takon njerëz të rinj në komunitetin e saj të ri.
“Në Amerikë, të gjithë njerëzit e bëjnë këtë lloj operacioni parandalues. Në Ukrainë, jo. Kështu që mendoj se po të kisha qenë në Ukrainë, do kisha problem më të madh me sëmundjen time. Në Shtetet e Bashkuara pashë mjekësi shumë moderne, kaq shumë teknologji të reja. Është shumë e rëndësishme të kesh mjekësi parandaluese dhe diagnostikim të hershëm”, thotë Larysa.
Ndërsa dëshiron të rikthehet në Ukrainë kur të ketë paqe, ajo është mirënjohëse për periudhën e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara me mbesën dhe vajzën.
“Donim thjesht t’i merrnim dhe t’u ofronim një shtëpi të re dhe pastaj të luteshim për paqe në atdhe, që të ndalet e gjitha dhe të kthehen në atdhe të shëndetshëm dhe të lumtur”, thotë vajza Iryna.
Rreth 300 mijë refugjatë ukrainas janë pranuar në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet programit “Uniting for Ukraine” që nga fillimi i sulmit të forcave ruse në shkurt 2022.