Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mirëpriti të mërkurën përpjekjet e shteteve anëtare të NATO-s të investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre, duke shtuar se shtetet evropiane dhe Kanadaja kanë kontribuar mbi 600 miliardë dollarë më shumë në buxhetet e tyre të mbrojtjes.
“Që kur është bërë zotimi për shtimin e buxhetit të mbrojtjes më 2014, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë shpenzuar më shumë se 600 miliardë dollarë për mbrojtjen. Vitin e kaluar, pamë një rritje të pashembullt prej 11 për qind tek të gjithë aleatët evropian dhe Kanadaja. Këtë vit pres që 18 shtete anëtare të shpenzojnë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Ky është një rekord i ri dhe një rritje gjashtë fish nga viti 2014 kur vetëm tre aleatë e plotësonin pragun,” deklaroi zoti Stoltenberg.
Sekretari Stoltenberg i bëri këto të dhëna publike në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të aleancës në Bruksel.
Deklaratat e tij janë edhe kundërpërgjigje ndaj deklaratave të fundjavës të ish Presidentit amerikan Donald Trump, i cili në kuadër të fushatës zgjedhore si kandidat i partisë republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tha se nëse rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara jo domosdoshmërisht do të mbrojnë shtetet që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes nëse sulmohen.
Deklarata e zotit Trump shkaktoi shqetësim tek aleatët dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
“Në vitin 2024, aleatët e NATO-s në Evropë do të investojnë bashkarisht 380 miliardë dollarë për mbrojtjen e tyre. Për herë të parë, kjo shumë arrin 2 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto të kombinuar. Po bëjmë përparim të vërtetë. Aleatët evropianë po shpenzojnë më shumë. Megjithatë, disa aleatë ende kanë punë për të bërë sepse u pajtuam në takimin e Vilniusit se të gjithë aleatët duhet të investojnë 2 për qind dhe se 2 për qindshi është minimumi,” deklaroi zoti Stoltenberg.
Sipas tij, NATO-ja ka arritur të parandalojë sulmet ndaj një vendi anëtar për 75 vjet të ekzistencës së saj, për shkak se është e qartë për të gjithë, që gjithë aleanca është e gatshme në çdo kohë të mbrojë çdo vend anëtar.
“Qëllimi i NATO-s është të parandalojë luftën, të ruajë paqen, të parandalojë sulmin ndaj aleatëve të NATO-s. Kemi qenë për dekada të suksesshëm sepse parimi ynë i parandalimit është i besueshëm. Andaj çfarëdo pretendimi se nuk do ta ndihmojmë njëri tjetrin, që nuk do ta mbrojmë njëri tjetrin, minon sigurinë e të gjithëve. Rrit rreziqet. Andaj është shumë e rëndësishme që me vepra dhe po ashtu edhe me fjalë, të komunikojmë qartazi që qëndrojmë pranë përkushtimit të NATO-s për të ruajtur dhe mbrojtur të gjithë aleatët,” shtoi Sekretari Stoltenberg.
Të enjten ministrat e mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s takohen në Bruksel.