Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha të martën se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.
Zonja Kim foli në një konferencë telefonike për shtypin së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien lidhur me vizitën e zotit Blinken në Shqipëri dhe atë në Mynih për Konferencën e Sigurisë.
“Vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, tha ajo.
Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Matthew Miller para disa ditësh për vizitën e zotit Blinken në Shqipëri, thuhej se Shqipëria është “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”
Ish-ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim tha se zoti Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
“Duam t'i falënderojmë që ishin mikpritës kryesorë për afganët në nevojë dhe shqiptarët vazhduan kështu traditën e tyre historike për t'i strehuar ata që janë në rrezik”, tha zonja Kim.
Ajo tha se Sekretari Blinken do të qendrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 7-8 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, si edhe do të dalë para medias me zotin Rama.
Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se zoti Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Ajo tha se takimi është i rëndësishëm jo vetëm për shkak se do të jetë një bashkëbisedim me të rinj që kanë studiuar në SHBA, por edhe pse mbahet tek Piramida që dikur ka qenë simbol i komunizmit dhe regjimit shtypës dhe izolues.
“Por rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, bashkëpunuan për ta shndërruar piramidën në thelb një inkubator për inovacionin në teknologji, kështu që mendoj se është një ide e bukur”, tha ajo.
Zoti O’Brien në komentet e tij, tha se në Konferencën e Mynihut, ku do të mbajë një fjalim kryesor Nënpresidentja Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Blinken do ta vënë theksin tek mbështetja për Ukrainën tek konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Tajvanit.
Ndihmës sekretari i Shtetit tha se SHBA do të sigurojë gjithashtu aleatët për mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit, duke iu përgjigjur shqetësimeve pas komenteve të ish-presidentit Donald Trump për NATO-n.
Yuri Kim: Vizita e Sekretarit Blinken në Shqipëri, e përqendruar tek e ardhmja e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës
- VOA