Lidhje

SHBA, emigracioni çështje kryesore e zgjedhjeve


Rrugët e gjalla dhe rrokaqiejt e qytetit të Nju Jorkut joshin emigrantët anembanë globit të marrin rrugën për në qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen mesazhet kontradiktore nga zyrtarët dhe legjislacioni i bllokuar në Kongres e kanë kthyer çështjen e emigracionit në një temë të diskutueshme zgjedhore.



Ndërsa Kongresi shqyrton reformat për imigracionin, 175,000 migrantët që janë regjistruar nga qyteti i Nju Jorkut që nga pranvera e vitit 2022 po marrin sinjale kontradiktore nga autoritetet lokale që vijnë nga Partia Demokrate.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga qyteti për të dekurajuar të ardhurit duke shkurtuar qëndrimet në strehimore dhe duke ndaluar ardhjen e autobusëve me migrantë në qytet, zyra e kryebashkiakut njoftoi së fundmi disa nisma në mbështetje të tyre, si shpërndarjen e kartave bankare në vlerë prej 1000 dollarëve për blerjen e ushqimeve dhe ofrimin e 4000 vendeve të punës për migrantët e sapoardhur.

“Është lajm i mirë, na japin shumë ndihmë. Na japin ushqim, rroba për dimër. Na japin mundësinë që fëmijët tanë të studiojnë, shkollohen. Kjo na ndihmon që të fillojmë procedurat për lejen e qëndrimit, për të qenë në gjendje të punojmë. Në Nju Jork na ndihmojnë shumë”, thotë Angel Torres, një emigrant që së fundmi ka ardhur në Nju Jork nga Venezuela.

“Këtu ka njerëz shumë të mirë, njerëz që na ndihmojnë, madje marrim ndihmë që nuk ofrohet në vendin tonë”, thotë Evelyn, një emigrante e ardhur së fundmi nga Ekuadori.

Ndërsa migrantët vazhdojnë të ndajnë përvoja pozitive me bashkëkombasit e tyre, duke inkurajuar më shumë për të udhëtuar për në qytetin e Nju Jorkut, kryebashkiaku po kërkon zgjidhje nga Kongresi, duke pohuar se kjo çështje ka tejkaluar mundësitë për t’u trajtuar nga autoritetet lokale.

“Ky është një problem kombëtar që përfshin Çikagon, Bostonin, Hjustonin, Uashingtonin. Qeveria federale duhet ta zgjidhë këtë dhe sfidat me të cilat po përballemi. Ne po përballemi me pasojat e një politike kombëtare të dështuar dhe kur flas me kolegët e mi në qytete të tjera, ata thonë të njëjtën gjë”, thotë Eric Adams, kryebashkiak i Nju Jorkut.

Pavarësisht përpjekjeve nga të dy partitë dhe përfshirjes së shumë kushteve nga Partia Republikane, ekziston një dyshim se disa udhëheqës republikanë në Kongres po e pengojnë qëllimisht miratimin e projektligjit të imigracionit.

“Republikanët janë urdhëruar nga ish-Presidenti Trump që të mos zgjidhin sfidat në kufi, por të vazhdojnë të bëjnë lojëra politike sepse duan ta përdorin kufirin si një çështje zgjedhore në nëntor megjithëse kjo do të ketë rezultat të kundërt”, thotë demokrati Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët nuk janë dakord, duke ia hedhur fajin presidentit Biden dhe duke thënë se ai ka pasur gati katër vjet për të ofruar zgjidhje.

“Joe Biden ka dështuar plotësisht në një nga detyrat e tij më themelore dhe më të rëndësishme si president. Ai nuk ka arritur të mbrojë kufijtë dhe njerëzit tonë. Për shkak të dështimeve të tij, guvernatorët nga i gjithë vendi duhet të bëjnë punën e qeverisë federale”, thotë Sarah Huckabee, Guvernatore e Arkansasë.

Profesorja Erin Corcoran nga Universiteti ‘Notre Dame’ pohon se projektligji i imigracionit po vonohet për qëllime politike në Kongres.

“Padyshim që mendoj se do të jetë një çështje e madhe për zgjedhjet dhe për këtë arsye mendoj se ka disa shenja se qëllimisht nuk po arrihet kompromis sepse nëse projektligji miratohet dhe hyn në fuqi, disa nga këto çështje largohen”, thotë Profesorja Erin B. Corcoran nga Universiteti ‘Notre Dame’.

Ndërsa demokratët dhe republikanët po luftojnë për të shfrytëzuar çështjen e imigracionit për avantazhin e tyre politik, fati i miliona emigrantëve mbetet i pasigurt, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të nëntorit.

XS
SM
MD
LG