Lidhje

Republikanët vënë në shënjestër presidentin Biden për problemet me kujtesën


Kundërshtarët republikanë të Presidentit amerikan Joe Biden po sulmojnë atë mbi problemet me kujtesën, pasi iu referua presidentit të Egjiptit si president i Meksikës, gjë që ka thelluar shqetësimet e demokratëve lidhur me moshën e tij.

“Biden nuk do të jetë më i mprehtë në nëntor”, i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate Jason Miller, këshilltar i lartë i fushatës së zotit Trump. Ekipi i fushatës së tij publikoi një deklaratë, duke thënë se “Joe Biden jo vetëm që shfaq shenja pleqërie, por ai rrezikoi sigurinë tonë kombëtare.”

Ish-Presidenti Donald Trump zotëron një epërsi në zgjedhjet paraprake në partinë republikane dhe ka gjasa të bëhet i emëruari i kësaj partie për president, përkundër faktit se mbi të rëndojnë 91 akuza për vepra penale në raste të ndryshme në nivel federal dhe në nivel shtetesh.

Fushata e kandidates tjetër republikane Nikki Haley, e cila renditet pas zotit Trump, lëshoi një deklaratë duke thënë se zoti Biden “duhet t’i nënshtrohet menjëherë një testi për aftësi mendore” dhe t’i bëjë përfundimet publike.

“Joe Biden nuk mund t’i mbajë mend ngjarjet madhore në jetën e tij, si për shembull kur shërbeu si nënpresident apo kur i vdiq djali,” deklaroi zonja Haley. “Është trishtuese, por do të ishte edhe më trishtuese nëse në Shtëpi të Bardhë kemi një person që nuk është në gjendje mendore të kryejë detyrën më të rëndësishme në botë.”

Republikanët filluan sulmet e tyre të reja pasi Presidenti Biden iu referua gabimisht të enjten në mbrëmje presidentit egjiptian Abdel-Farrah el-Sissi si “president i Meksikës” ndërkohë që po fliste për përpjekjet e tij për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës.

Zoti Biden e bëri ngatërresën, ndërsa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve rreth raportit të prokurorit të posaçëm për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete që përfshin komente për vështirësitë e zotit Biden me kujtesën, duke cituar shembuj se si ai nuk ishte në gjendje të kujtonte momentet e rëndësishme të jetës së tij, sikur kohën kur ka shërbyer si nënpresident ose kur i vdiq i biri, Beau.

“Kujtesën e kam në rregull,” u përgjigj zoti Biden, dukshëm i acaruar ndërkohë që po mohonte se ka harruar se kur i ka vdekur djali. Beau Biden vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015 në moshën 46 vjeçe.

Tre të katërtat e votuesve, përfshirë gjysmën e demokratëve, thonë se janë të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të zotit Biden, sipas një ankete të televizionit amerikan “NBC News” që u botua këtë javë.

Më pak se gjysma e votuesve shprehen të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të zotit Trump, sipas të njëjtës anketë, megjithë gabimet e tij të shumta. Gjatë një ngjarjeje të fushatës në fillim të këtij muaji, zoti Trump duket se gabimisht iu referua rivales së tij Haley si Nancy Pelosi, ish kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve ndërkohë që po fliste për ngjarjet e 6 janarit. Në të kaluarën ai ka ngatërruar zotin Biden me ish-Presidentin Barack Obama.

Prokurori i posaçëm Robert Hur vendosi të mos ngrejë padi ndaj zotit Biden për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete. Megjithatë, karakterizimet e prokurorit Hur mbi kujtesën e presidentit ka gjasa t’u japin municion rivalëve republikanë të zotit Biden në argumentimin e tyre se ai nuk është në gjendje të udhëheqë vendin.

Zoti Trump, i cili po përballet me një aktakuzë federale që përmban 37 vepra penale që lidhen me mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete, pengimin e drejtësisë dhe bërjen e deklaratave të rreme, sulmoi edhe më shumë zotin Biden për çështjen e dokumenteve sekrete.

Ai e quajti rastin e zotit Biden “100 herë më ndryshe dhe shumë më të rëndë se timin”, duke thënë përmes një deklarate të enjten se ekziston “një sistem me dy nivele të drejtësisë dhe ndjekjes penale jokushtetuese!” dhe se ka “ndërhyrje në procesin zgjedhor.”

Në raportin e tij, prokurori Hur iu përgjigj paraprakisht pohimeve të tilla.

“Në dallim nga provat ndaj zotit Biden, akuzat e ngritura në padinë e zotit Trump, nëse vërtetohen, paraqesin fakte rënduese serioze,” sipas raportit. “Në veçanti, për faktin se zotit Trump i janë dhënë mundësi të shumta për t’i kthyer dokumentet sekrete që t’i shmanget ndjekjes penale, por me gjasë ai ka bërë të kundërtën.”

XS
SM
MD
LG