Lidhje

Blinken në Izrael, për të diskutuar mbi propozimin për armëpushim


Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog në Jeruzalem.

Në takimin me presidentin Herzog, sekretari Blinken rikonfirmoi mbështetjen për Izraelin dhe nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave për të mbrojtur civilët në Gazë.

Blinken në Izrael, për të diskutuar mbi propozimin për armëpushim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00


Sekretari Blinken përsëriti gjithashtu vizionin e Shteteve të Bashkuara për një paqe të qëndrueshme në rajon.

“Unë besoj se ekziston mundësia për një të ardhme shumë pozitive dhe të konsoliduar, që realisht integron Izraelin në rajon dhe u përgjigjet nevojave të tij për të jetuar në paqe dhe siguri dhe që gjithashtu u përgjigjet aspiratave të popullit palestinez”, tha ai.

Propozimi për armëpushim i grupit palestinez, që SHBA dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste, është që luftimet të ndalojnë për katër muaj e gjysmë, gjatë të cilit të gjithë pengjet do të liroheshin, Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga Rripi i Gazës dhe do të arrihej një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.

“Tani ia kemi dhënë përgjigjen tonë Katarit dhe Egjiptit. Ata ua kanë dorëzuar amerikanëve dhe palës tjetër. Tani presim përgjigjen e palës tjetër”, tha Izzat El-Rishek, anëtar i Byros Politike të Hamasit.

Kanali 13, një televizion izraelit, citoi një zyrtar të lartë të thoshte se disa nga kërkesat e paraqitura nga Hamasi nuk ishin të pranueshme për Izraelin, pa dhënë detaje. Izraeli ka thënë më parë se nuk do të tërheqë trupat e tij nga Rripi i Gazës derisa Hamasi të shkatërrohet.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkoi në Izrael pas një dite të mbushur me takime në Lindjen e Mesme dhe ndau këtë zhvillim të ri në një konferencë shtypi në Katar.

“Së bashku me Katarin dhe Egjiptin, ne parashtruam një propozim serioz që kishte për qëllim zgjerimin e marrëveshjes së fundit që ndaloi luftimet. Hamasi u përgjigj. Ne jemi duke e shqyrtuar atë përgjigje tani dhe unë do ta diskutoj atë me qeverinë e Izraelit”, tha Sekretari i Shtetit, Blinken.

Zoti Blinken tha se ka mbetur shumë punë për t'u bërë për një marrëveshje, por ai vazhdon të besojë se një marrëveshje ishte e mundur.

Kryeministri i Katarit, Al-Thani, tha se përgjigja nga Hamasi në përgjithësi ishte pozitive.

Lufta në Lindjen e Mesme filloi kur Hamasi kreu sulmin terrorist të 7 tetorit duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng mbi 250 të tjerë.

Kundërpërgjigja ushtarake izraelite, deri më tani, sipas të dhënave të Hamasit, të pakonfirmuara nga burime të pavarura, kanë vrarë mbi 27 mijë palestinezë.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se ka shumë pengesa.

“Unë mendoj se një nga pikat kyçe të pengesave është se Hamasi me të vërtetë dëshiron diçka që është më shumë një armëpushim afatgjatë, një ndalim më të përhershëm të luftimeve. Izraeli kërkon kthimin e të gjithë pengjeve të tij. Por, Hamasi në raste të mëparshme, ka vendosur një çmim më të lartë për lirimin e ushtarëve izraelitë që ata kanë në paraburgim”, thotë Brian Katulis, nënkryetar i politikës në Institutin e Lindjes së Mesme.

Të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant paralajmëroi se forcat tokësore të Izraelit mund të avancojnë në qytetin jugor Rafah, ku janë zhvendosur palestinezët që kanë ikur nga veriu. Ministri Gallant tha se çdo terrorist i Hamasit që fshihet në Rafah duhet të dijë se fundi i tij do të jetë i njëjtë me të tjerët, ose të dorëzohen ose të vriten.

XS
SM
MD
LG