Shqipëria dhe Italia nënshkruan të martën marrëveshjen për sigurimet shoqërore nga e cila pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin italian. Marrëveshja e firmosur nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve përfshin sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe Sigurimin e papunësisë.
Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani deklaroi pas firmosjes së marrëveshjes me homologun e tij italian Antonio Tajani se ajo “garanton të paktën dy gjëra shumë të rëndësishme: përfitimin e sigurimeve shoqërore dhe kontributet e akumuluara në Shqipëri dhe Itali, por çfarë është më e rëndësishmja, trajtimin e barabartë të personave të punësuar dhe për të vetëpunësuarit, si për shtetasit shqiptarë dhe ata italianë”.
Marrëveshje të ngjashme, Shqipëria ka dhe me shtete të tjera si Gjermania apo dhe Kanadaja, por në rastin e Italisë, ajo merr një rëndësi të veçantë duke qenë se bëhet fjalë për vendin e dytë pas Greqisë me komunitetin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Zëvendës ministrja e Financave Olta Manjani shpjegoi detaje të marrëveshjes. “Shtetasit shqiptar në Itali apo shtetasit italian në Shqipëri, do të paraqiten pranë zyrave të institucioneve përkatëse të Sigurimeve Shoqërore në Itali apo Shqipëri, ku do të kërkojnë informacion dhe do të aplikojnë siç do të bënin në vendin e tyre të origjinës. Kjo lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit, këto do të jenë detaje që do jenë të parashikuara në një marrëveshje administrative, e cila do të bëhet gjatë periudhës që marrëveshja ratifikohet në parlamentet përkatëse”, tha ajo.
“Një element tjetër shumë i rëndësishëm – nënvizoi zonja Manjani - është edhe bashkimi i periudhave. Të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar për një periudhë në skemën e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë, por nuk kanë plotësuar vitin minimal të përfitimit të pensioneve, që është 15 vjet në rastin e Shqipërisë, kjo periudhë do bashkohet me periudhën që ata kanë kontribuar në shtetin italian dhe në pensionin final që do të marrin, do jenë edhe ato ku kanë derdhur kontributet”.
Sipas zëvendës ministres Manjani “një tjetër parim shumë i rëndësishëm, është dhe eksportimi i përfitimeve, ku me proceset e dixhitalizimit do të jetë edhe me e lehtë. Shtetasit italian që janë në Shqipëri apo shqiptarët që janë në Itali, nuk do u duhet të udhëtojnë në shtetet e tyre të origjinës, për të bërë aplikimin për përfitimin e pensionit, pasi ata i përfitojnë këto të drejta automatikisht në vendin ku ata janë rezident. Pra, një shtetas shqiptar që ka punuar në Itali për disa vite, kërkesën do ta bëjë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Italisë, pra do të bëhet shkëmbimi automatik i të dhënave mes dy institucioneve, që janë përgjegjëse”.
Ministri i Jashtëm Hasani vuri në dukje se finalizimi i marrëveshjes është fryt i raporteve të ngushta mes dy vendeve. “Kjo marrëveshje vjen në një moment shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ajo tregon edhe një herë që dy vendet janë më afër se kurrë, në çështje që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e përditshme të shtetasve tanë”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama veçoi homologen italiane Giorgia Meloni “pa të cilën nënshkrimi i sotëm i dokumentit përfundimtar të kësaj marrëveshjeve jetike për shqiptarët e Italisë, thjesht nuk do të kishte ndodhur”. Në një mesazh publik, të shërndarë me këtë rast, zoti Rama u shpreh se “sot është një ditë e bukur për familjet shqiptare në Itali. Puna e tyre e ndershme, vitet e tyre të njëpasnjëshme në punë për të ndërtuar një ekonomi familjare me mund e me djersë, kontributi i tyre në ekonominë dhe në sigurimet shoqërore të vendit të dashur fqinj, nga sot do t’u kthehen në pensionet e tyre, secilit e secilës sipas asaj që u takon”, tha ai duke shtuar më tej se “sot është një ditë triumfi edhe për politikën si një mjet i pazëvendësueshëm për ta bërë më të mirë, më të sigurtë, më dinjitoze jetën e njerëzve të zakonshëm”.
Një marrëveshje e parë kuadër me Italinë, për sigurimet shoqërore u dakortësua në korrik të vitit 2022, e pasuar nga negociata të gjata teknike mes palëve që sollën dhe firmën përfundimtare. Përpara se të hyjë në fuqi, dokumenti do të duhet të ratifikohet dhe nga parlamentet e të dy vendeve.