Lidhje

Sunak: Kanceri i mbretit Çarles u zbulua herët


Kanceri i mbretit Çarls III u zbulua herët dhe i gjithë vendi shpreson për një shërim të shpejtë, tha të martën kryeministri britanik Rishi Sunak, ndërsa djali i monarkut, Princi Harry njoftohet se fluturoi nga Kalifornia për të vizituar babanë e tij.

Pallati Mbretëror ‘Buckingham’ njoftoi të hënën në mbrëmje se mbreti ka filluar trajtimin për një formë kanceri, pa treguar se për çfarë kanceri bëhet fjalë. Ai u zbulua gjatë trajtimit të tij të fundit në spital për prostatë të zmadhuar, megjithëse kanceri nuk ka të bëjë me prostatën, por është një “çështje e veçantë”, tha pallati.

“Fatmirësisht, kjo është zbuluar herët”, tha Kryeministri Sunak për radion publike ‘BBC’, duke shtuar se si kryeministër ai do të “vazhdonte të komunikonte me të normalisht”.

“Shumë familje anembanë vendit janë prekur nga e njëjta gjë dhe ata e dinë se çfarë do të thotë”, tha zoti Sunak. “Pra, ne do të mendojmë për të dhe shpresojmë që ta kalojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Djali i vogël i mbretit, Princi Harry, i cili la detyrat mbretërore në vitin 2020, u transferua në Kaliforni dhe ka një marrëdhënie të trazuar me babanë e tij, ka folur me Mbretin Çarls për diagnozën dhe “do të udhëtojë për në Mbretërinë e Bashkuar për të parë Madhërinë e Tij në ditët në vijim ”, tha zyra e Harry-it dhe gruas së tij, Meghan. Mediat britanike raportuan se ai është nisur të martën nga Los Anxhelosi për në Britani.

Çarls u bë mbret në shtator të vitit 2022, pasi nëna e tij Mbretëresha Elizabeth II vdiq në moshën 96-vjeçare.

Lajmi për diagnozën e mbretit vjen ndërsa bashkëshortja e djalit të tij Kate, Princesha e Uellsit, po kurohet nga pasojat e një operacioni abdominal për të cilin ishte shtruar në spital për rreth dy javë.

Kate, Princesha e Uellsit po bën një pushim nga detyrat mbretërore ndërsa po rikuperohet. Bashkëshorti i saj, Princi William, i cili është trashëgimtar i fronit, mori gjithashtu pushim për të ndihmuar në kujdesin e saj dhe tre fëmijëve të çiftit, por ai do të kryesojë një ceremoni në Kështjellën ‘Windsor’ dhe një darkë bamirësie të mërkurën.

Mbreti Çarls doli nga tradita mbretërore me publikimin e diagnozës së tij të zmadhimit të prostatës. Për shekuj me radhë, familja mbretërore e Britanisë nuk i ka bërë publike problemet shëndetësore.

Kur monarkët e Mbretërisë së Bashkuar kishin më shumë pushtet, lajmet për sëmundjet e tyre mbaheshin të fshehta nga frika se ato mund të dobësonin autoritetin e tyre. Kjo traditë vazhdoi edhe pasi roli i monarkëve në kushtetutën e vendit u bë më simbolik.

Publiku britanik nuk u njoftua kur gjyshi i Mbretit Çarls, Mbreti George VI, kishte kancer në mushkëri përpara se ai të vdiste në shkurt të vitit 1952 në moshën 56-vjeçare.

Pallati shtoi se mbreti “ka zgjedhur të ndajë me publikun diagnozën e tij për të parandaluar spekulimet dhe me shpresën se mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e publikut për të gjithë ata në mbarë botën që janë të prekur nga kanceri”.

Mbreti Çarls mori fronin duke synuar të zvogëlonte monarkinë, me më pak anëtarë të lartë mbretërorë që kryenin detyra publike ceremoniale. Ndërsa Mbreti Çarls dhe Kate, Princesha e Uellsit po shërohen, Princi Harry që u largua nga detyrat mbretërore duke shkuar në Kaliforni për të jetuar dhe Princi Andrew që u dëbua kryesisht nga jeta publike për shkak të lidhjes së tij me të dyshuarin si abuzues seksual Jeffrey Epstein, familja mbretërore rrezikon të mbingarkohet.

Princi William dhe bashkëshortja e Mbretit Çarls, Mbretëresha Camilla, pritet që të marrin angazhime publike shtesë gjatë mungesës së mbretit.

XS
SM
MD
LG