Lidhje

FIFA: Finalja e Kupës së Botës në 2026 do të zhvillohet në Nju Jork


FILE - An aerial view shows MetLife Stadium in East Rutherford, New Jersey, near New York City, June 20, 2014.
FILE - An aerial view shows MetLife Stadium in East Rutherford, New Jersey, near New York City, June 20, 2014.

Finalja e Kupës së Botës 2026 do të mbahet në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi, afër qytetit të Nju Jorkut njoftoi FIFA të dielën.

Oferta e Nju Jorkut i mbijetoi një sfide të fortë nga Dallasi për të siguruar organizimin e ndeshjes finale të 19 korrikut 2026. Kampionati botëror i futbollit në 2026 do të zgjerohet, duke përfshirë pjesëmarrjen e 48 ekipeve, të cilat do t’i zhvillojnë ndeshje në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Kupa e Botës do të fillojë me ndeshjen e parë në stadiumin e. njohur “Azteca” të qytetit Meksiko më 11 qershor 2026 në Meksikë.

Në qytetet amerikane të Atlantës dhe Dallasit do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa ndeshja për vendin e tretë do të luhet në Majami.

Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen në Los Anxhelos, Kanzas Siti, Majami dhe Boston.

Gjithsej 16 qytete në të tre vendet do të jenë organizatorë të ndeshjeve, ndërsa pjesa më e madhe e tyre do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.

Kupa e Botës 1994 u mbajt gjithashtu në Shtetet e Bashkuara dhe finalja u zhvillua në stadiumin “Rose Bowl” në Pasadena, afër Los Anxhelosit.

Nju Jorku ishte mikpritës i tre ndeshjeve në 1994 në stadiumin e vjetër të ekipit të futbollit amerikan “New York Giants”, i cili më vonë u shkatërrua për t'i hapur rrugën ndërtimit të stadiumit “MetLife”, i cili u hap në 2010.

Vendimet u njoftuan në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Amerikën e Veriut, në të cilin u paraqit presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me komedianin dhe aktorin Kevin Hart, yllin e muzikës rep, Drake dhe personazhin e njohur të medias dhe biznesit, Kim Kardashian.

Ndonëse stadiumi “Metlife” ndodhet në East Rutherford të Nju Xhersit, në anën tjetër të lumit Hudson, aty zhvillohen ndeshjet e ekipeve të futbollit amerikan nga Nju Jorku, “New York Giants” dhe “New York Jets”. Në stadiumin me 82,500 vende, më 2016 u mbajt finalja e turneut të futbollit “Copa America”.

Në ofertën e tyre, zyrtartët e Nju Jorkut theksuan përvojën e qytetit në organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare dhe pozicionin e tij si një qytet global me lidhje të mira transporti për tifozët.

Dallas kishte shpresuar që stadiumi “AT&T”, në Arlington, në të cilin zhvillohen ndeshjet e ekipit të futbollit amerikan “Dallas Cowboys”, do të kishte avantazh nga fakti se është i pajisur me një çati, duke shmangur nevojën e shtyerjes së ndeshjeve në rast të motit ekstrem.

Megjithatë, në Dallas do të zhvillohen gjithsej nëntë ndeshje të Kupës së Botës 2026, duke e bërë atë organizatorin e më shumë ndeshjeve të këtij turneu.

Qyteti i Los Anxhelosit u përpoq të hynte në garë për organizimin e finales së Kupës së Botës, por u detyrua të tërhiqej për shkak të mosmarrëveshjeve me FIFA-n rreth përmirësimeve në stadiumin e futbollit amerikan, “SoFi”, ku ekipi “LA Rams” zhvillon ndeshjet e tij.

“Azteca” do të bëhet stadiumi i parë në botë që do të jetë organizator i ndeshjeve të tre kupave të Kupës së Botës. Në këtë stadium janë zhvilluar ndeshjet finale të Kupës së Botës më 1970 dhe 1986.

Kupa e Botës përkon me festimet e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Një nga ndeshjet e Kupës së Botës do të zhvillohet më 4 korrik, Dita e Pavarësisë së Amerikës, në Filadelfia, ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara do ta nisin garën në fazën e grupeve në Los Anxhelos më 12 qershor dhe do të zhvillojnë ndeshje edhe në Siatëll.

Toronto do të jetë organizator i ndeshjes së parë të ekipit kanadez.

Kombëtarja e Kanadasë do të zhvillojë ndeshje edhe në Vankuvër.

Zgjerimi i turneut nga 32 në 48 ekipe do të rezultojë me 24 ndeshje shtesë, duke e çuar në 104 numrin e ndeshjeve totale që do të zhvillohen në 16 stadiume.

Ndeshjet do të zhvillohen në këto 16 qytete: Atalanta, Boston, Dallas, Guadalahara, Hjuston, Kanzas Siti, Los Anxhelos, Meksiko, Majami, Monterej, Nju Jork-Nju Xhersi, Filadelfia, San Francisko, Siatëll, Toronto dhe Vankuvër.

XS
SM
MD
LG