Lidhje

Biden fiton zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut


Presidenti Joe Biden fitoi lehtësisht zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut të shtunën në mbrëmje. Kjo konsiderohet gara e parë zyrtare brenda partisë për emërimin e kandidatit për president, e që demokratët shpresojnë t'u dërgojë një mesazh votuesve afrikano-amerikanë.

Zoti Biden mposhti demokratët e tjerë në Karolinën e Jugut, mes tyre ligjvënësin e Minesotës, Dean Phillips si dhe shkrimtaren Marianne Williamson. Me 74% të votave të numëruara, zoti Biden kishte 108,123 vota, ose 96.4% të tyre. Ai fitoi të 55 delegatët demokratë të këtij shteti.

Zyrtarët e fushatës së tij investuan shumë në rritjen e pjesëmarrjes në një shtet që shihet si një provë e përpjekjeve për të mobilizuar votuesit afrikano-amerikanë, një bllok kyç për një fitore të re të mundshme të zotit Biden ndaj ish-Presidentit Donald Trump, në nëntor.

Në vitin 2020, ishin votuesit e Karolinës së Jugut ata që dëshmuan se ekspertët e kishin gabim, i dhanë frymë të re fushatës sonë dhe na vendosën në rrugën drejt fitores së presidencës”, tha zoti Biden në një deklaratë. “Tani në vitin 2024, banorët e Karolinës së Jugut folën përsëri dhe nuk kam asnjë dyshim se ju na keni vendosur në rrugën për të fituar përsëri presidencën – dhe për ta bërë Donald Trump-in një humbës – përsëri”.

Presidenti Biden qëndronte pas një përpjekjeje të Komitetit Kombëtar Demokrat që zgjedhjet paraprake të kësaj force politike të nisnin nga Karolina e Jugut, për shkak të popullatës së larmishme të shtetit në krahasim me Ajovan dhe Nju Hampshërin, të cilat kanë kryesisht një popullatë të bardhë.

Presidenti Biden ushtroi trysni për një kalendar të rinovuar të zgjedhjeve paraprake, sipas të cilit gara e dytë zyrtare do të mbahet në Nevada të martën, më pas do të vazhdohehet më Miçiganin, një shtet i madh dhe i larmishëm, në 27 shkurt, përpara asaj që njihet si Super e Marta, më 5 mars, ku mbahen votime në disa shtete.

Demokratët lokalë të Nju Hampshërit, i refuzuan planet e Komitetit Kombëtar Demokrat duke i mbajtur zgjedhjet muajin e kaluar. Zoti Biden nuk bëri fushatë dhe emri i tij nuk ishte në fletëvotim, por megjithatë fitoi me një diferencë të konsiderueshme, pasi mbështetësit e tij bënë një fushatë, duke shkruar vetë emrin e zoti Biden.

XS
SM
MD
LG