Lidhje

Zelenskiy në vijën e parë të frontit mes spekulimesh mbi fatin e gjeneralit të lartë


Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy vizitoi trupat që luftojnë në frontin juglindor të vendit dhe shpërndau medalje, njoftoi zyra e tij të dielën. Vizita vjen mes spekulimesh në rritje për shkarkimin së shpejti të shefit të ushtrisë ukrainase.

"Është një nder të jem këtu sot për të mbështetur luftëtarët dhe për t'i shpërblyer ata. Ata përballen me një mision të vështirë dhe kritik për të zmbrapsur armikun dhe për të mbrojtur Ukrainën", u tha zoti Zelenskiy trupave në rajonin e Zaporizhias, sipas një deklaratë të nxjerrë nga zyra e tij.

Në një deklaratë thuhej gjithashtu se zoti Zelenskiy vizitoi pozicionet e ushtrisë ukrainase pranë fshatit Robotyne, që ndodhet pothuajse në vijën e betejës.

Vizita e presidentit vjen ndërsa janë ngritur pikëpyetje mbi fatin e shefit të ushtrisë, Valeriy Zaluzhnyi.

Dy burime thanë të premten se qeveria ukrainase kishte informuar Shtëpinë e Bardhë se planifikonte ta shkarkonte komandantin e lartë ushtarak, që mbikëqyr luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Dyshimet për largimin e zotit Zaluzhnyi, i cili është përplasur me Presidentin Zelenskiy për një sërë çështjesh, vijnë pas kundërofensivës ukrainase të vitit të kaluar, e cila nuk arriti të rikuperonte pjesë të konsiderueshme të territorit që ndodhen tashmë nën kontrollin rus.

I njohur si "Gjenerali i Hekurt", zoti Zaluzhnyi është një figurë jashtëzakonisht popullore. Largimi i tij mund të dëmtojë moralin mes trupave ukrainase që luftojnë për të mbajtur pozicionet përgjatë më shumë se 1000 kikometra vijë e parë e frontit, kundër një force të madhe ruse, që ka rezerva të mëdha në municione.

XS
SM
MD
LG