Lidhje

Sulmet amerikane në Jemen eliminojnë dronët që po përgatiteshin për të sulmuar anijet tregtare


Rebelët Houthi
Rebelët Houthi

Shtetet e Bashkuara goditën rreth 10 dronë pa pilot në Jemen që po përgatiteshin për të sulmuar objektiva, tha një zyrtar amerikan të mërkurën vonë. Sulmi i ushtrisë amerikane vjen ndërsa përshkallëzimi i tensioneve të luftës në Gazë po përhapet në rajon.

Militantët Houthi të lidhur me Iranin, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë nisur një valë sulmesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit nën pretekstin e reagimit ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë dhe shfaqjes së solidaritetit ndaj palestinezëve. Sulmet e rebelëve Houthi kanë shkaktuar ndërprerje të transportit detar ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave të rebelëve Houthi në Jemen dhe e kanë rikthyer organizatën në listën e "grupeve terroriste".

Lëvizja Houthi tha herët të mërkurën se forcat e saj detare kryen një operacion që kishte si objektiv një "anije tregtare amerikane" në Gjirin e Adenit, disa orë pasi qëlluan me raketa destrojerin amerikan Gravely.

Sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detit të Kuq kanë ngadalësuar tregtinë midis Azisë dhe Evropës dhe kanë shkaktuar frikë lidhur me zinxhirët e furnizimit global. Fuqitë botërore janë të shqetësuara se lufta në Gazë mund të tjetërsohet në një konflikt rajonal.

Presidenti Joe Biden ka thënë se sulmet ndaj objektivave të lëvizjes Houthi do të vazhdojnë edhe pse ai e pranoi se rebelët mund të mos i ndalojnë sulmet e tyre.

Operacioni ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, pasoi një sulm të përgjakshëm nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor ku u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng mbi 250 të tjerë. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se rreth 27,000 njerëz janë vrarë në luftime që nga fillimi i konfliktit.

XS
SM
MD
LG