Lidhje

Transparency International e shqetësuar për mungesën e vullnetit politik në Kosovë për një gjyqësor të pavarur


Gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, duke shënuar 41 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikoi të martën Transparency International dhe duke u radhitur në vendin e 83 mes 180 vendeve që analizohen në raportin e përvitshëm të kësaj organizate.

Transparency International shpreh shqetësim për mungesën e përparimit, duke thënë se veprimet kundër korrupsionit ende nuk janë në lartësinë e përparimit demokratik që ka shënuar Kosova në drejtim të zgjedhjeve e lira dhe kalimit paqësor të pushtetit.

“Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë e sistemit e drejtësisë, si për shembull ngritja e procesit të vetingut dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin e Prokurorisë, po ecin me një ritëm shumë të ngadaltë”, thuhet në raport.

Por sipas raportit, çka është më shqetësuese është mungesa e vullnetit politik për një pavarësi të sistemit gjyqësor.

“Më keq akoma, ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, pasqyruar me rastin e shkarkimit të kreut të njësisë së posaçme të hetimeve të policisë, si edhe pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet në raport.

Që nga viti 2012 kur kishte 34 pikë në Indeks, Kosova ka pasur një përmirësim prej 7 pikësh.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Sipas raportit, për shkak të dobësive ndaj presionit politik, sistemet e drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë që ka këtë vit 35 pikë (një pikë më shumë se vitin e kaluar) dhe Serbia që ka 36 (i njëjti nivel si vitin që kaloi) në masë të madhe nuk janë në gjendje të ndjekin penalisht dhe sanksionojnë zyrtarët publikë që abuzojnë me postet.

“Serbia po përjeton një rënie demokratike, ndërsa qeveria e saj autokratike përdor ligje të veçanta për të kufizuar transparencën në projektet në shkallë të gjerë”, thuhet në raport.

Maqedonia e Veriut është vlerëuar me 42 pikë në vitin 2023 nga 40 pikë që kishte vitin e mëparshëm, por raporti vë re se sapo filluan të ndjehen disa shenja të lehta përparimi, gjyqësori i Maqedonisë së Veriut u dëmtua ndjeshëm nga ndryshimet e bëra në mënyrë jodemokratike në kodin penal.

“Vendimi për uljen e dënimeve për abuzimin me postin zyrtare për përfitime personale dhe shkurtimi i afateve për ndërmarrjen e procedurave ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion, është një favor i madh për personat e korruptuar”, thuhet në raport.

Megjithëse Mali i Zi ka ka 46 pikë, një pikë më shumë se vitin e kaluar, Transparency International thotë se rasti i tij tregon se si kapja e mëparshme e shtetit mund të lërë pasoja afatgjata tek institucionet.

“Përparimi i ngadaltë në procedimin e rasteve (të korrupsionit) dhe vështirësitë për të rindërtuar një gjyqësor funksional nxjerrin në pah se sa rëndë e shkatërruan sistemin e drejtësisë kapja nga ish-regjimi dhe krimi i organizuar”, thuhet në raport.

Transparency International thotë se qeveria aktuale duhet t'u japë përparësi veprimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG