Lidhje

Gjykata: Protokolli Meloni-Rama për migrantët, në pajtim me Kushtetutën


Migrantë në detin Adriatik
Migrantë në detin Adriatik

Gjykata Kushtetuese shqiptare vlerësoi sot se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për migrantët “është në pajtim me Kushtetutën”, duke i hapur kështu rrugë ratifikimit të saj nga parlamenti. Vendimi u mor nga shumica e 9 anëtarëve të Gjykatës.

Organi më i lartë gjyqësor i vendi, u vu në lëvizje nga kërkesa e një grupi deputetësh opozitarë, sipas të cilëve Protokolli mes dy vendeve ishte në shkelje të Kushtetuës së vendit dhe Konventave për të drejtat e njeriut ku Shqipëria është palë. Me pranimin e kërkesës së tyre Gjykata pezulloi në muajin dhjetor dhe procedurat parlamentare për miratimin e saj.

Gjykata: Protokolli Meloni-Rama për migrantët, në pajtim me Kushtetutën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Marrëveshja e nënshkruar në 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama, përfshin migrantët e nisur nga vendet e Afrikës veriore, të cilët kapen në det nga anijet e autoriteteve italiane dhe parashikon ngritjen e dy qendrave; e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të migrantëve dhe e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Sipas deputetëve të opozitës, marrëveshja, për nga rrezja e veprimit të saj ishte një marrëdhënie e lidhur mes dy shteteve, përsa kohë Shqipëria lëshonte të drejtat e saj mbi dy territoret ku parashikohet të ngrihen qendrat e pritjes, e për pasojë do të duhej që bisedimet të ishin zhvilluar mbi një autorizim të lëshuar nga presidenti i Republikës. Por sipas Gjykatës, Protokolli mes dy vendeve “nuk cakton kufij territorial dhe as ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik”. Po ashtu dhe Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, i vitit 1995, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, i cili trajton dhe temën e migracionit “përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli të negociohej me autorizim të kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Jashtëm, si dhe të nënshkruhej prej vetë kryeministrit”, saktëson Gjykata.

Marrëveshja parashikon në nenin 4, pika 2, të saj se strukturat e pritjes “menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve, që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian”. Por në këtë pikë, Gjykata Kushtetuese vëren se Shteti shqiptar ka përgjegjësinë e vet për çështjet që rregullon Protokolli, “e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por dhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit të ekstraterritorialitetit të saj” dhe në këtë pikëpamje “Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë se juridiksioni italian në dy zonat në fjalë, nuk përjashton juridiksionin shqiptar”. Sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, “ky interpretim do të duhet të reflektohet dhe në aktet që do të duhet të miratohen për vënien në zbatim të marrëveshjes”.

Gjykata ka vërejtur se marrëveshja “nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar. E për këtë arsye Gjykata arriti në përfundimin se dhe pretendimi për cënimin e të drejtave të të huajve është i pabazuar”.

Ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës reagoi me tone kritike kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, një ndër firmatarët e ankimimit dorëzuar Gjykatës Kushtetuese. “Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut, janë tregues i qartë që Gjykata Kushtetuese humbi që në nisje, mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sipas parashikimeve ligjore, Gjykata ka kohë 30 ditë për të publikuar vendimin e plotë e të arsyetuar. Menjëherë më pas, ai botohet në Fletoren Zyrtare, duke shënuar kështu hyrjen në fuqi, dhe rihapjen e procedurave parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes, për të cilën mjafton votimi me shumicën e thjeshtë të deputetëve.

Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë, i kritikuar dhe nga shumë organizata ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, u miratua javën e shkuar nga Dhoma e deputetëve në parlamentin italian, me 155 vota në favor, nga shumica e djathtë dhe 115 vota kundër të opozitës, ndërsa tani pritet që t’i nënshtrohet votës në Senat, ku po ashtu e djathta e udhëhequr nga kryeministrja Meloni ka shumicën.

XS
SM
MD
LG