Lidhje

Sulm me armë ndaj një kishe katolike në Stamboll, vritet 1 person


Autoritetet turke njoftuan se dy persona të maskuar e të armatosur, sulmuan një kishë katolike në Stamboll gjatë shërbesës të së dielës, duke vrarë një person.

Sipas një deklarate të postuar në rrjetin social X nga ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, sulmi ndodhi në mëngjez në kishën Santa Maria që ndodhet në lagjen Sariyer. Ai nuk dha detaje mbi armët që ishin përdorur apo nëse kishte të plagosur.

Zoti Yerlikaya e dënoi incidentit dhe tha se po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar. Autoritet bënë të ditur se ngjarja po hetohet.

Duke folur për gazetarët, Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu ngushëlloi familjen e viktimës dhe ofroi mbështetjen e tij për pakicat fetare në qytet.

Në komentet për publikun në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën, Papa Françesku tha se i qëndron pranë komunitetit të kishës së Stambollit.

Duke folur për "Associated Press", nipi i viktimës e identifikoi personin që humbi jetën si Tuncer Cihan. Ai vuri në dukje se objektivi ishte kisha dhe jo xhaxhai i tij.

Ai ishte një person me aftësi të kufizuara mendore që nuk kishte asnjë lidhje me politikën apo organizatat (kriminale)”, tha ai.

Kisha drejtohet nga një urdhër italian i fretërve françeskanë. Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se ministria e tij po ndiqte situatën së bashku me ambasadën italiane në Ankara dhe konsullatën në Stamboll.

Shpreh ngushëllimet e mia dhe dënoj me forcë sulmin e rëndë ndaj kishës Santa Maria”, shkruante zoti Tajani në rrjetin social X. Ai shtoi se ishte i sigurt se autoritetet turke do t’i arrestonin përgjegjësit.

XS
SM
MD
LG