Lidhje

SHBA dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë


ISRAEL-PALESTINIANS/YEMEN-STRIKE
ISRAEL-PALESTINIANS/YEMEN-STRIKE

Ushtria amerikane goditi të martën tre qendra në Irakun perëndimor, të përdorura nga grupi militant Kataib Hezbullah, që mbështetet nga Irani. Këto janë sulmet e fundit ndëshkuese ndaj grupeve militante në rajon, të cilat kanë sulmuar forcat amerikane në Irak dhe Siri më shumë se 150 herë që nga mesi i tetorit. Sulmet kanë rritur shqetësimin se Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në një luftë tjetër në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni mbështet Izraelin në luftën kundër Hamasit dhe partnerin e saj evropian Ukrainën, në luftën kundër Rusisë.

SHBA dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00



Nga Iraku në Jemen, Shtetet e Bashkuara dhe Britania po sulmojnë grupet militante të mbështetura nga Irani.

Rebelët e grupit Houthi në Jemen kanë kryer mbi 30 sulme ndaj anijeve ndërkombëtare të mallrave në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit në përgjigje të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Megjithatë, objekt i këtyre sulmeve ishin shumë anije mallrash që nuk kishin lidhje me Izraelin.

Në shënjestër të sulmeve të kësaj jave në Jemen ishin depot e raketave dhe sistemet e lëshimit të tyre që ishin në gjendje gatishmërie për të goditur anijet e mallrave, thanë zyrtarët amerikanë.

“Qëllimi ynë i vetëm është krijimi i një mjedisi të sigurt për anijet ndërkombëtare të transportit të mallrave dhe ekuipazhin e tyre në Detin e Kuq”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.

Komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të dhunës në rajon.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që të tërhiqen nga luftimet dhe të marrin parasysh pasojat e rënda që një konflikt rajonal do të kishte për njerëzit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe aleatët e tjerë po përpiqen të shmangin një konflikt rajonal, duke sulmuar grupet militante.

“Këto sulme kanë për qëllim të ulin tensionet përmes kufizimit të aftësive luftuese të këtyre grupeve militante. Sulmet nuk synojnë përshkallëzimin e konfliktit. Ato synojnë të shkatërrojnë aftësitë e palëve që duan t’i shkaktojnë dëme një pale tjetër”, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

“Është një gjë e mirë të thuhet se nuk duam një luftë rajonale dhe se po përpiqemi të shmangim një luftë rajonale. Por duket se ne jemi përfshirë në një luftë të tillë.”

Brad Bowman nga Instituti për Mbrojtjen e Demokracive thotë se ushtria amerikane nuk po godet me forcë të mjaftueshme grupet e mbështetura nga Irani.

“Ato vazhdimisht po bëjnë përpjekje për të vrarë amerikanë. Arsyet e vetme pse nuk kemi viktima në mesin e amerikanëve janë masat që kemi marrë për të mbrojtur veten dhe fati”, thotë ai.

Zoti Bowman thotë se në shënjestër të sulmeve amerikane nuk është agresori kryesor në rajon, Irani.

“Sa më shumë që flasim për grupin Houthi, Hamasin ose Hezbollahun, aq shumë bëhemi pjesë e strategjisë së Iranit, si një mjeshtër i përdorimit të këtyre grupeve. Ata na sulmojnë përmes këtyre grupeve dhe ne kundërpërgjigjemi duke i sulmuar ato, jo drejtuesin e tyre”, thotë ai.

Tensionet po rriten ndërsa Kongresi ende nuk ka arritur një marrëveshje mbi ndihmat ushtarake për Izraelin dhe Ukrainën, e cila po lufton me forcat pushtuese të Rusisë për gati dy vjet.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin të martën drejtoi takimin e parë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që nga mbarimi i fondeve për Kievin të miratuara nga Kongresi. Ky grup synon të vazhdojë koordinimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Ukraina do ta fitojë këtë luftë, por jo vetëm Ukraina por gjithë bota demokratike”, tha ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya në një konferencë shtypi në Nju Jork.

Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë trajnimin në Arizona të pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, me shpresën se kjo armë e re do t’i japë Ukrainës një avantazh në luftën kundër forcave ruse.

Një sulm ajror rus të martën shkaktoi vrasjen e disa njerëzve dhe plagosjen e rreth 50 të tjerëve.

XS
SM
MD
LG