Lidhje

Çështja McGonigal, shqiptaro-amerikani Nezaj, për mbi 6 orë në Prokurorinë e Posaçme


Shqiptaro-amerikani Agron Nezaj, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme
Shqiptaro-amerikani Agron Nezaj, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme

Në Tiranë, Agron Nezaj, një prej personave kyç në çështjen e ngritur në Shtetet e Bashkuara ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, për lidhjet e tij me Shqipërinë, u thirr të hënën në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi për afro 6 orë. Ai nuk pranoi të jepte deklarata apo komente mbi çështjen për të cilën ishte thirrur. Dokumenta të Drejtësisë amerikane të para nga Zëri i Amerikës, vënë në dukje se në gjysmën e parë të vitit 2018, shqiptaro-amerikani Nezaj u bë një burim konfidencial i FBI-së, për hetimet e saj mbi lobistin amerikan.

Prokuroria e Posaçme shqiptare u vu në lëvizje nga një padi e deputetit demokrat Gazmend Bardhi, ku kërkohej të zhvilloheshin hetime për përfshirjen e mundshme të kryeministrit Edi Rama, i cili ishte takuar disa herë me zotin McGonigal, në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara. Shqiptaro-amerikani Nezaj, rezulton të ketë qenë pika e lidhjes mes ish zyrtarit të FBI-së dhe kryeministrit shqiptar. Ky i fundit ka deklaruar se zotin Nezaj “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”. Në takimet mes tyre, ka qenë i pranishëm dhe zoti Dorian Duçka, i cili po ashtu përmendej në aktakuzën ndaj zoti McGonigal. Zoti Duçka, një ish-zyrtar i qeverisë, ka shërbyer më pas, siç ka deklaruar dhe vetë zoti Rama, si këshilltar i jashtëm i tij.

Zoti McGonigal, pranoi në shtator fajësinë për 225,000 dollarë të marra nga zoti Nezaj. Kishte qenë vetë McGonigal ai që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezaj nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Zëri i Amerikës ka lexuar dokumentin që prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan më 5 janar 2024 gjykatës. Ata kërkojnë 30 muaj burgim dhe 95 mijë dollarë gjobë “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”.

Në dokument shpjegohet se zoti McGonigal i ka kërkuar paratë me justifikimin se i duheshin për shkak të presioneve financiare dhe shpenzimeve për universitetin për fëmijët e tij dhe i kishte thënë shqiptaro-amerikanit Nezaj se do t’ia kthente ato. Zoti Nezaj priste që në të ardhmen të bashkëpunonte me zotin McGonigal për biznese fitimprurëse.

Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk deklaroi marrjen e parave, por avancoi interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t'i kryente ato”, thuhet në dokument.

Pranimi i fajësisë u bë në shtator, në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

Zoti McGonigal ka pranuar të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Rama dhe zotin Duçka. I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare.

Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së.

Ish zyrtari i FBI-së informoi Departamentin amerikan të Drejtësisë për këtë rast, më 25 nëntor, “pasi një ditë më parë ai kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan nga personi B”, i identifikuar si Dorian Duçka.

Në atë kohë, pikërisht dy ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN, kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike.

Ndërsa në janar 2018, ish zyrtari i FBI-së, merr sërish informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Nezaj. Ky i fundit, sipas aktakuzës, e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Kur vitin e kaluar foli në parlament për këtë çështje zoti Rama tha se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?", duke shtuar se “po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.

Por në fakt, në atë kohë, nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në mars 2018, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrimi i botuar nga revista amerikane “Mother Jones”.

Nga ana tjetër, kryeministri nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime se përse Nezaj dhe Duçka u angazhuan drejtpërdrejt në këtë çështje, i pari duke u bërë burimi konfidencial i FBI-së për këtë rast, dhe i dyti, këshilltari i zotit Rama, duke sponsorizuar udhëtimet e dëshmitarëve nga Europa për takimet e tyre me FBI-në.

Nga ana e tyre, dokumentat e siguruar nga Zëri i Amerikës, dëshmojnë se hetimi ishte hapur në shkurt të vitit 2018, për disa mospërputhje në plotësimin e dokumentave të FARA-s, ligjit për regjistrimin e lobistëve dhe se kishte ngjallur pikëpyetje dhe te vetë personeli i FBI-së.

Pikëpyetjet e zyrtarëve të FBI-së lidhur me kërkesën për hetimin e lobistit

Në mbështetje të këtij fakti, prokurorët bashkangjisin një letër të një agjenti të FBI-së ku janë redaktuar disa të dhëna identifikuese. Letra mban datën 16 mars 2018 dhe zyrtari që e shkruan pyet se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime” më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?”

Më tej, zyrari shkruan se kërkon që të jetë në gjendje t’u përgjigjet eprorëve nëse lindin pyetje. “Do të doja t’ju shpjegoja atyre se pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si..”, thuhet në letër ku emrat e vendeve të tjera janë të fshira.

Po ashtu është bashkangjitur edhe vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 korrik 2019, pas daljes në pension të zotit McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimin se ---- (emër i redaktuar) ka kryer aktivitet kriminal ndërsa përfaqësonte një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentacionin e duhur për FARA-n në Departamentin e Drejtësisë”. Në këtë vendim përmendet me emër Partia Demokratike e Shqipërisë.

Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i kanë kërkuar gjykatës, dënimin e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, siç thuhet në memorandumin lidhur me akuzat e për rastin e Shqipërisë.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë, edhe në një gjykatë në Nju Jork, lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Me 15 dhjetor 55-vjeçari McGonigal u dënua nga gjykata federale e Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg.

XS
SM
MD
LG