Të hënën në Shkup u takuan drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian që u ofron këtyre vendeve një fond prej gjashtë miliardë eurosh.
Në takim ishte i pranishëm Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien dhe zyrtarë të lartë të BE-së. Drejtuesit ballkanikë do të duhet të takohen rregullisht lidhur me përparimin dhe për të zgjidhur problemet politike, ndërkohë që asnjëri prej vendeve nuk mund t’i bëjë veto një shteti tjetër, sa i takon këtij plani. Pjesësmarrësit në takim vlerësojnë se Plani i Rritjes do ta shpejtojë edhe procesin e anëtarësimit të vendeve të tyre në Bashkimin Evropian.
Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Presidenti i Serbisë, si dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës përmes video lidhjes, miratuan një deklaratë të përbashkët ku thuhet mes tjerash, se ata zotohen për zhvillimin e vendeve të tyre sipas standardeve evropiane me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në takim nga Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, James Obrien, ndërsa Bashkimi Evropian nga drejtorët për Fqinjësi dhe Zgjerim dhe për Çështjet e Jashtme, Gert Jan Koopman dhe Marko Makovec.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ishte ai që nuk deshi të paraqitej në një konferencë të përbashkët shtypi dhe më pas secili prej drejtuesve rajonal foli për mediat e vendit të tij, ndërkohë që zoti O’Brien dhe kryeministri maqedonas Kovaçevski theksuan hollësitë e takimit në konferencën për gazetarë.
Zyrtari i lartë amerikan është i bindur se programi do të funksionojë.
“Me këtë program askush nuk mund të paraqesë veto ndaj dikujt tjetër. Secili shtet ka përgjegjësinë për reformat e veta dhe të bashkëpunojë me sa më shumë vende fqinje. Një shtet që del me nisma do të ketë përfitime më të shpejta dhe nuk duhet pritur deri sa një çështje të gjejë zgjidhje”, tha zoti Obrien.
“Me këtë program, në shkëmbim të disa reformave shtetet do të kenë qasje në tregun e përbashkët evropian”, tha zoti O’Brien. “Tani të gjithë jemi dakord se duhet të presim nga të gjitha gjashtë shtetet të punojnë së bashku në mënyrë që qytetarëve të rajonit t’iu mundësohen shanse reale që të bëhen më shpejtë pjesë e Evropës”, tha Ndihmës Sekretari amerikan.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se me anë të pranimit dhe zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian, tregu i përbashkët rajonal do të veprojë si një trampolinë drejt tregut të përbashkët evropian.
“Plani i Rritjes është konfirmimi më serioz konkret politik i BE-së deri më tani për integrimin efikas të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh zoti Kovaçevski.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Plani i Rritjes paraqet një mundësi të madhe që nuk duhet humbur.
“Deri më tani kjo ka qenë e mundur vetëm për shtetet të cilat janë bërë anëtare të BE-së. Prandaj, është e rëndësishme që të kemi sukses në bashkëpunimin tonë, që të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit. Është me rëndësi që të vëmë qytetarët në vend të parë dhe të lëmë politikën dhe historinë për më pas, sepse çfarëdo që bëjmë në një kohë të përshtatshme për të rregulluar gjërat në muajt e ardhshëm, do të përcaktojë mënyrën se si vendet tona do të duken në fund të kësaj dekade”, tha zoti Rama.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç theksoi mundësitë e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve.
“Biseduam për dy gjëra të rëndësishme: njëra është pjesëmarrja në tregun e përbashkët evropian dhe ajo që për ne është me rëndësi, janë “korsitë e gjelbra”, para së gjithash për kamionët tanë që të mund të kalojnë lirshëm nëpër kufijt e vendeve të Bashkimit Evropian; që të ulim më tej shpenzimet e tyre operacionale; ta forcojmë tregëtinë dhe industrinë tonë. Për këtë duhet që ne të punojmë vetë në të gjithë rajonin, pa marrë parasysh barrierat, të cilat ndërkohë i kemi hequr", u shpreh zoti Vuçiç, duke shtuar se në mes vendeve të ‘Ballkanit të Hapur’ është realizuar tani më një pjesë e mirë e kësaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Plani i Rritjes e shpejton edhe procesin e anëtarësimit në BE. Ai shtoi se beson që anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera.
“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave aty në qendër e kemi reformën e adminisratës publike. Që rajoni i Ballkanit perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të afrohen, nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë. Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit të njerëzve dhe mallrave kërkon edhe besim edhe njohje reciproke mes shteteve, institucioneve dhe njerëzve”, tha zoti Kurti.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç tha se beson që Plani do të nisë të zbatohet gjatë këij viti.
“Mendoj se ky është sinjal shumë i rëndësishëm jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për bizneset që duan të investojnë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
Drejtori për Fqinjësi dhe Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Jan Koopman tha se plani i rritjes mund të ndryshojë gjendjen e rajonit.
“Mund ta dyfishojë kapacitetin e ekonomive tuaja në dekadën e ardhshme dhe është inkuarajuese që shohim se si rajoni e ka përqafuar këtë koncept”, tha ai.
Ndërkohë, Ndihmës Sekretari Amerikan, O’Brien duke iu përgjgjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me çështjen midis Kosovës dhe Serbisë, u përgjigj shkurt duke thënë se “ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin e arritur në Maqedoninë e Veriut, në Ohër, marsin e vitit të kaluar dhe besojmë se të dy vendet duhet të ballafaqohen me procesin e dialogut për ta zbatuar në tërësi udhërrëfyesin”.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave rajonale, të CEFTA-s dhe zyrtarë të institucioneve bankare dhe financiare evropiane dhe të Bankës Botërore.
Ekonomia rajonale e vendeve të Ballkanit Perëndimor vlerësohet në rreth 100 miliardë euro Prodhim të Brendshëm Bruto, me një popullsi 17 milionëshe.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Ballkanit Perëndimor është vetëm 0.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Evropian, ndërsa me integrimin e tregut të përbashkët rajonal ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit do të kishin një rritje prej rreth 10 për qind.
Plani do të ndihmojë në hapjen e dyerve për bizneset lokale dhe të punëtorëve drejt rajonit dhe Evropës, ndërsa tregu ballkanik do të bëhej më tërheqës për investimet evropiane dhe më gjerë.