Lidhje

Reshjet e dëborës shkaktojnë probleme në Shqipëri, situata më e rëndë në veri


Dëbora në Shqipëri
Dëbora në Shqipëri

Moti i keq me reshje dëbore dhe shiu ka përfshirë thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë. Situata është më e rënduar në zonën veriore të vendit, në qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Shkodrës, ku edhe reshjet e dëborës janë më të shumta.

Në mesditë, Bashkia Fushë Arrëz njoftoi se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar nga dëbora në njësitë administrative malore Iballë, Blerim, Fierzë e Qafë-Mali.

Në pjesën më të madhe të akseve rrugore që lidhin zonat e banuara situata është rënduar. Kështu, aksi rrugor Qafë Thore-Theth është i bllokuar nga dëbora dhe, po ashtu, edhe aksi rrugor që shkon drejt Vermoshit.

Në aksin malor Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ndërsa në Qafë Mali dëbora ka arritur në 40-50 cm. Në segmentin Fierzë-Qafë Shllak ka prani të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve.

Reshje të dëndura dëbore ka përgjatë Rrugës së Kombit si dhe në segmentin rrugor Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel. Reshje të dendura dëbore me erë të fuqishme ka sidomos në Urën Zapod-Shishtavec, në Kukës, në Tamarë-Vermosh dhe në Qafë Thore-Bogë, në Malësi të Madhe, në Klos e Peshkopi, në Bajram Curri-Fierzë të Tropojës.

Autoriteti rrugor paralajmëroi drejtuesit e automjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë dhe të ulin shpejtësinë gjatë udhëtimit.

Situata është rënduar edhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në një numër të madh fshatrash për shkak të daljes jashtë funksionit të linjave të percjelljes së energjisë.

Operatori i shpërndarjes së energjisë bëri të ditur se në Qarkun e Shkodrës janë stakuar plotësisht fidrat në Pukë, Velipojë, Bushat, Koman dhe nënstacionin Shkodra 2.

Sipas OSHE-së, mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren, në të gjithë vendin, për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për riparimin e defekteve.

Thuajse çdo vit, për shkak të reshjeve, por edhe infrastrukturës së amortizuar, zona malore në veri të Shqipërisë përballet me vështirësi për qarkullimin nëpër rrugët rurale, por edhe ato ndërqytetase. Zona të tëra izolohen nga bllokimi i rrugëve prej dëborës, ndërkohë që njësitë vendore janë të paafta për të menaxhuar situatat e krijuara nga reshjet. Edhe strukturat e emergjencave civile vazhdojnë të jenë me mangësi, si me mjete, ashtu edhe me forcat njerëzore, ç’ka e rëndon edhe më tepër gjendjen për mijëra banorë, që jetojnë në zonën malore në veri të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG