Lidhje

Prokuroria e posaçme refuzon kërkesën e Berishës për të shkuar në parlament


Ish kryeministri Sali Berisha nën arrest shtëpie, duke ju drejtuar mbështetësve të tij nga banesa
Ish kryeministri Sali Berisha nën arrest shtëpie, duke ju drejtuar mbështetësve të tij nga banesa

Në Shqipëri, Prokuroria e posaçme njoftoi të premten, se ka refuzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha që ai të lejohet të marrë pjesë në seancat e parlamentit. Që prej fundit të muajit të shkuar zoti Berisha ndodhet në arrest shtëpie, pasi më herët ai refuzoi të zbatojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke e konsideruar atë se ishte në shkelje të kushtetutës.

Në vendimin e dy prokurorëve të çështjes, shjegohet se sipas Kodit të Procedurës penale “në kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi, vlejnë rregullat e paraburgimit”, e për pasojë “e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë dhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për Kuvendin, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.

Prokurorët shpjegojnë po ashtu se në asnjë dispozitë ligjore nuk është parashikuar mundësia e dhënies së një leje të tillë e sipas tyre edhe në kërkesën e avokatit të zotit Berisha “nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje”.

Zoti Berisha është në hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, lulëzoi një kompleks pallatesh.

Ndonëse në arrest shtëpie, çdo mbrëmje zoti Berisha, shfaqet në dritaret e apartamentit të tij, duke ju drejtuar grupeve të mbështetësve që grumbullohen pranë banesës në një nga zonat qendrore të Tiranës.

Ish kryeministri ka ankimuar vendimin e gjykatës për arrestin në shtëpi, dhe javën e ardhshme pritet të zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që po javën e ardhshme ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët.

XS
SM
MD
LG