Lidhje

Shqipëri, ligji i ri për arbitrazhin iu shtohet nismave për përmirësimin e klimës së biznesit


Grant Van Cleve, president i AMCHAM, Shqipëri
Grant Van Cleve, president i AMCHAM, Shqipëri

Në Tiranë, qarqet e biznesit mirëpritën ligjin e ri për arbitrazhin, me shpresën se ai do të përmirësojë klimën e biznesit, duke zgjidhur mosmarrëveshjet.

Shqipëri, ligji i ri për arbitrazhin iu shtohet nismave për përmirësimin e klimës së biznesit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleve thotë për Zërin e Amerikës se krahas emigrimit të punëtorëve të kualifikuar, bizneset përballen me informalitet dhe korrupsion, ndaj ngurrojnë për të zgjeruar investimet.

Anëtarët e Dhomës Amerikane pohuan në Indeksin vjetor një përmirësim të lehtë të klimës së biznesit, megjithë morinë e vështirësive të ndryshme.

Bizneset në Shqipëri, thotë për Zërin e Amerikës, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, hasin ende shumë vështirësi në kërkim të punës së rregullt, veprimtarive të ligjshme, të antikorrupsionit dhe të drejtësisë.

Ai shtoi se investuesit e rinj nga jashtë vendit kanë nevojë për siguri fizike dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të tyre nga sistemi gjyqësor, i cili tani është duke u zhvilluar në drejtimin e duhur. Sistemi i arbitrazhit në përputhje me procedurat e BE-së është mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjet shpejt dhe lirë, tha zoti Cleve.

“Janë hedhur disa hapa kohët e fundit, që janë në drejtimin e duhur. Edhe krijimi i ministrisë së antikorrupsionit, me një person serioz dhe të duhur për këtë punë, si edhe ligji për arbitrazhin më duket se do të ndryshojnë perspektivën e gjërave. Ndoshta duhet pak kohë që të zbatohen, por unë jam optimist”, tha zoti Cleve.

Ai i bëri këto komente pas një konference ku u paraqit ligji i ri për Arbritrazhin, i cili u vlerësua nga zyrtarët si një gur themeli për sistemin ligjor bashkëkohor, që u përgjigjet nevojave të biznesit për standarte dhe shpejtësi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Sipas ministrit të drejtësisë, Ulsi Manja, ligji i ri është pjesë e përpjekjeve për të fuqizuar reformën në drejtësi dhe synon rritjen e besimit tek investuesit e huaj, sepse përmbush standartet ndërkombëtare në barazinë para ligjit, uljen e kostove dhe zgjidhje të shpejta të mosmarrëveshjeve.

“Ky kuadër mishëron përgjigjen tonë ndaj kërkesës së vazhdueshme të investitorëve dhe komunitetit të biznesit në vend. Me garancitë për neutralitetin, shmangien e burokracive, si dhe avantazhet e tjera të arbitrazhit, ligji I ri do ta lehtësojë të bërit biznes në Shqipëri”, tha zoti Manja.

Shqetësimi kryesor i anëtarëve të Dhomës Amerikane, sipas Indexit vjetor është vështirësia për të gjetur punëtorë të kualifikuar për shkak të emigrimit të tyre.

Nga ana tjetër, presidenti i Dhomës Amerikane Cleve thekson se hezitimi i kompanive për të investuar rishtas apo për të zgjeruar investimet ekzistuese buron nga përballja me informalitetin dhe konkurrenca e pandershme.

“Pavarësisht nga fakti që kemi e-Albania dhe ca gjëra të tjera, që kanë hequr një pjesë të korrupsionit, vazhdon informaliteti, që krijon pasiguri, dhe pengon pra sigurinë që duhet. Janë raste personale në disa nga anëtarët, që i kanë ngritur si çështje, por është edhe një frikë, një hezitim, ose edhe një vështirësi për të thithur investim nga jashtë, që të zgjerojnë punën dhe të vijnë aktorë të tjerë. Janë me hezitim”, thotë zoti Cleve.

Indexi vjetor i Dhomës Amerikane vërejti një përmirësim me disa pikë të klimës së biznesit dhe të gjyqësorit.

Megjithatë ky tregues, që del nga anketimi i anëtarëve të Dhomës është ende poshtë nivelit 50 për qind të standarteve, që duhet të përbëjnë një klimë normale të zhvillimit të biznesit në një vend, theksoi zoti Cleve.

“Mund ta krahasoj gjendjen me automjetin, kur flasim mbi gazin dhe frenin. Gazi ekziston; është një vend i bukur, njerëz të mirë, turizëm në rritje, energji në rritje, digjitalizimi dhe inovacioni në rritje, por prapë janë këto frenat që krijojnë një hezitim. Një shkrimtar amerikan, Jim Colin, ka thënë se “Good is the enemy of the Great” (Mirë është armike e Shkëlqyer). Domethënë, gjërat po ecin relativisht mirë dhe më mirë se sa kanë qenë në disa fusha shumë të rëndësishme, por prapë ngelemi në disa aspekte. Por një nga një do të kapim arritje dhe më duket se ka një vullnet të mirë për përmirësimin e klimës së biznesit”, tha zoti Cleve.

Ai shtoi se sa më shumë të përmirësohet klima e biznesit aq më shumë do të rriten bizneset amerikane dhe ndërkombëtare në Shqipëri, e cila po bëhet gati të hyjë në Bashkimin Europian dhe të konkurrojë atje me prodhime dhe standarte.

Autoritetet besojnë se me digjitalizimin e shërbimeve ekonomike dhe dokumentare po frenojnë korrupsionin dhe rryshfetet, duke shmangur takimet e biznesit me administratën.

Ligji i ri për arbitrazhin është një tjetër nismë, që ata besojnë se do të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit, si një mjet të ri që palët të mos rendin nëpër gjykata në kërkim të drejtësisë, por për ta gjetur atë më shpejt dhe më lirë.

XS
SM
MD
LG