Tensionet ndërmjet Pakistanit dhe Iranit fqinj janë rritur këto ditë, që kur ato kryen sulme në territorin e njëra tjetrës gjatë kësaj jave, në ndjekje të militantëve të vendeve të tyre. Analistët në Pakistan i thanë korrespondentes së Zërit të Amerikës Sarah Zaman se deklaratat nga udhëheqësit e të dy vendeve tregojnë se palët po synojnë shtensionimin e situatës.
Pakistani njoftoi të enjten se sulmet që kishte kryer në mëngjes brenda territorit të Iranit nuk ishin sulm ndaj fqinjit të tij.
“Qëllimi i vetëm i aktit të sotëm ishte siguria dhe interesi kombëtar i Pakistanit, që është parësor dhe nuk mund të komprometohet,” deklaroi zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Mumtaz Zahra Baloch.
Në operacionin me emrin “Vdekje Terroristëve”, Pakistani deklaroi se ka vrarë disa terroristë me origjinë pakistaneze në anën tjetër të kufirit.
Sipas një deklarate të ushtrisë, iu kushtua kujdes maksimal shmangies së viktimave në mesin e civilëve, por Irani tha se katër fëmijë dhe tre gra ishin mes nëntë të vdekurve.
Sulmi u bë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Iranit në brendësi të Pakistanit të martën. Teherani tha se goditi vetëm terroristë iranianë, por sipas Islamabadit dy fëmijë pakistanezë u vranë dhe të paktën tre civilë u plagosën.
Teherani po ashtu bombardoi objektiva në Siri dhe Irak gjatë kësaj jave.
“Ndoshta ky akt i papërgjegjshëm agresioni, jo vetëm ndaj Pakistanit por edhe ndaj Irakut dhe Sirisë është pasojë e nevojës politike të udhëheqësve ideologjikë të Iranit për të larguar vëmendjen dhe për të ulur trysninë e brendshme dhe të jashtme,” deklaroi eksperti i mbrojtjes Syed Muhammed Ali.
Trysnia, sipas ekspertëve, vjen si pasojë e luftës së Izraelit dhe Hamasit në Gazë që ka lënë mijëra palestinezë të vrarë. Ata thonë se se Hamasi dhe kryengritësit Houthi, dy grupe që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur terroriste, si dhe grupi
Hezbollah me bazë në Liban, duan që Irani të bëjë më shumë.
Islamabadi dhe Teherani shpesh e nxisin njëri tjetrin të ndërmarrin veprime kundër militantëve që sfidojnë shtetet e tyre përgjatë kufirit.
Vëzhguesit pakistanezë thonë se shteti i tyre nuk ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret.
“Kushdo mund të përdorë këtë argument, që në Pakistan ka militantë dhe duhet t’i sulmojmë. Prandaj, një kundërpërgjigje ishte e nevojshme. E matur por e nevojshme,” thotë ekspertja e çështjeve ushtarake pranë King's College në Londër, Ayesha Siddiqa.
Pas sulmeve, dy palët lëshuan deklarata duke iu referuar njëra tjetrës si shtete mike dhe lanë të kuptohet se asnjë aeroplan luftarak nuk shkeli hapësirën ajrore dhe që asnjë ushtar nuk ka shkelur në brendësi të territorit.
“Ekziston një dëshirë, një prirje për të ushtruar vetë-përmbajtje dhe për ta menaxhuar përshkallëzimin e për të parandaluar një përshkallëzim të pakontrolluar, që nuk do të ishte në interes të Pakistanit apo të Iranit,” deklaroi analisti Ali.
Shumica e popullatës së Pakistanit janë muslimanë suni, ndërkohë që shumica e muslimanëve të Iranit janë shiitë. Ekspertja e mbrojtjes nga Kolegji Mbretëror në Londër Siddiqa shpreh shqetësimin se tensionet e fundit mund të përshkallëzohen në konflikt fetar.
“Pakistani ka përjetuar gjatë viteve ‘90, një përvoje shumë të keqe të një dhune me bazë fetare. Andaj mendoj se nuk ka mundësi tjetër as për Iranin e as për Pakistanin përveç se të bisedojnë me njëri tjetrin për të ulur temperaturën. Duhet të
gjejnë partnerët e duhur që mund t’i ndihmojnë për të biseduar,” thotë ajo.
Kina ka thënë se është e gatshme të luajë rol nëse dy palët dëshirojnë një gjë të tillë.
Tani për tani, Islamabadi i ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.