Lidhje

Përpjekjet e Rusisë për përhapjen e lajmeve të rreme mbi luftën në Ukrainë


StopFake website
StopFake website

Që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, ekspertët thonë se Moska ka intensifikuar përhapjen e lajmeve të rreme mbi Ukrainën. Në kuadër të fushatës së saj dezinformuese kundër Ukrainës, Rusia ka bërë disa pretendime shumë të çuditshme.

Përpjekjet e Rusisë për përhapjen e lajmeve të rreme mbi luftën në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00


Ekspertët thonë se Rusia ka publikuar një numër të madh lajmesh të rreme për Ukrainën, si:

"Kievi po dërgon fëmijë në luftë. Ukraina ka prodhuar jelek antiplumb për gratë shtatzëna. Refugjatët ukrainas lindin fëmijë në bunkerët zviceranë dhe më pas i shesin. Një kamp përqendrimi u ngrit pranë Odesës për ata që nuk duan të luftojnë kundër Rusisë".

Këta tituj janë publikuar në mediat ruse, thonë drejtuesit e portalit ukrainas “StopFake.org”, që merret me kontrollin e fakteve.

Bashkëthemeluesi i portalit, Yevhen Fedchenko thotë se edhe lajmet e rreme më të çuditshme duhet të kontrollohen dhe diskreditohen, ndërsa vala e dezinformatave vazhdon pa pushim.

“Qëllimi i tyre kryesor është të publikojnë sa më shumë lajme të rreme, të bombardojnë audiencën e tyre me këto lajme të rreme në të gjitha platformat, duke mos i dhënë mundësinë të marrin frymë dhe të kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Qëllimi është mbushja e peizazhit mediatik me lajme të rreme.”

Zoti Fedchenko thotë se në vitin 2023, lajmet e rreme të Rusisë ishin të përqendruara në vijën e parë të frontit dhe ndihmën perëndimore për Ukrainën.

“Disa u krijuan për të minuar besimin e Perëndimit në Ukrainë, kjo ishte kategoria më e madhe. Është e qartë se kjo përputhet me qëllimet politike dhe ushtarake të Rusisë për të minuar besimin në Ukrainë dhe për të frenuar çdo lloj ndihme për Kievin”.

Zoti Fedchenko thotë se Moska ka nxjerrë gjithashtu artikuj të panumërt duke pretenduar se Perëndimi po i dërgon Ukrainës makineri të prishura, se ukrainasit nuk dinë t’i përdorin ato dhe se Rusia po i shkatërron ato me sukses.

“Ne kemi parë artikuj, në të cilët pretendohet se Rusia ka shkatërruar avionët e parë luftarakë F-16, megjithëse më parë Rusia kishte publikuar informacione, ku pretendohej se ukrainasit nuk dinin të drejtonin avionët F-16. Edhe sikur të dinin se si t’i përdornin, kjo nuk do të ndryshonte asgjë! Pastaj, kjo pasohej me lajme se si Rusia i ka shkatërruar këta avionë para se ata të mbërrinin në Ukrainë”, tha eksperti ukrainas Yevhen Fedchenko për Zërin e Amerikës.

Rusia ka përdorur inteligjencën artificiale për prodhimin e lajmeve të rreme vitin e kaluar. Zoti Fedchenko përmend dy video me përmbajtje të rreme të përhapura nga Rusia, njëra që tenton të portretozojë kreun e forcave të armatosura të Ukrainës duke bërë thirrje për grusht shtet dhe një tjetër video, që tregon një bisedë mes presidentit Zelensky dhe bashkëshortes së tij. Asnjëra nga këto video nuk ishte e vërtetë.

“Kjo video na tregoi se inteligjenca artificiale ishte në gjendje të analizonte dhe të ‘rikrijonte’ fjalimin e Presidentit Zelenski mjaft mirë, por nuk arriti ta bënte të njejtën gjë me bashkëshorten e tij, sepse ajo nuk ka bërë aq shumë fjalime. Prandaj, në video mund të shohim zotin Zelensky duke folur rusisht dhe bashkëshorten e tij duke iu përgjigjur atij në një dialekt të çuditshëm ukrainas. Natyrisht, këto video nuk funksionuan.”

Zoti Fedchenko thotë se ai dhe ekipi i tij po bëjnë gjithçka për të frenuar vërshimin e propagandës ruse, por është e pamundur të kapen të gjitha dezinformatat.

XS
SM
MD
LG