Lidhje

Bashkëshortja e Senatorit Menendez kërkon gjykim më vete


Senatori Bob Menendez nga Nju Xhersi dhe gruaja e tij, Nadine Menendez/AP
Senatori Bob Menendez nga Nju Xhersi dhe gruaja e tij, Nadine Menendez/AP

Bashkëshortja e Senatorit amerikan Bob Menendez po kërkon që rasti gjyqësor për korrupsion ndaj saj të ndahet nga procesi kundër bashkëshortit të saj, sipas një dokumenti të paraqitur në gjykatë.

Sipas dokumentit, avokatët e zonjës Nadine Menendez deklaruan se një gjykim i përbashkët do të cënonte të drejtën e saj të mbrohet në një proces të drejtë gjyqësor. Ata shtuan se një gjykim i përbashkët do të detyronte të pandehurit e martuar të përballen me një zgjedhje të detyruar, pasi “ushtrimi i të drejtës së tyre për të dëshmuar në mbrojtjen e tyre mund t’i detyrojë të heqin dorë nga privilegji kundër dhënies së dëshmisë në dëm të bashkëshortit”.

“Interesi i zonjës Menendez në favor të ruajtjes së konfidencialitetit që rrjedh nga pozita e privilegjuar që ka për shkak të marrëdhënieve martesore dhe që të ushtrojë privilegjin në cilësinë e bashkëshortes pa patur nevojë të sakrifikojë mundësinë që të dëshmojë në mbrojtje të vetes, mbështesin argumentin se ekziston ‘rrezik serioz’ që një gjykim i përbashkët do të komprometojë ‘të drejtat specifike gjyqësore të saj”, thanë avokatët e saj.

Çifti deklaruan se janë të pafajshëm në tetor, pasi ishin akuzuar se kishin pranuar ryshfet nga tre sipërmarrës nga Nju Xhersi.

Në aktpadinë ndaj zotit Menendez të ngritur në shtatorin e vitit të kaluar, prokurorët thanë se kanë gjetur kallëpe ari dhe zarfe me para brenda xhaketave të tyre në apartamentin e senatorit demokrat në Nju Xhersi.

Ata po ashtu thanë se sipërmarrësi Wael Hana kishte rregulluar takime ndërmjet senatorit Menendez dhe zyrtarëve egjiptianë, të cilët kërkuan nga ai që të miratonte ndihma ushtarake.

Në këmbim, zoti Hana e futi bashkëshorten e senatorit Menendez në regjistrin e pagave të kompanisë së tij, sipas prokurorëve.

Në fillim të janarit, prokurorët akuzuan zotin Menendez se kishte ndihmuar një sipërmarrës të Nju Xhersit, që po kërkonte investime nga një kompani e Katarit, me lidhje me një qeveri të një shteti të Lindjes së Mesme.

Akuzat më të reja, sipas të cilave zoti Menendez akuzohet se po vepronte si agjent i huaj, shtojnë trysninë ndaj senatorit, i cili iu ka rezistuar thirrjeve të anëtarëve të partisë së tij për të dhënë dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG