Lidhje

Sulme intensive izraelite ndaj Hezbollahut në jug të Libanit


Izraeli ndërmori një valë intensive sulmesh ajrore në jug të Libanit, njoftuan burimet libaneze të sigurisë dhe ushtria izraelite. Ky është një rast i rrallë që Izraeli njofton për operacione të forcave speciale në kufi.

Burime libaneze të sigurisë i thanë agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se Izraeli kishte kryer të paktën 16 sulme ajrore në Luginën Suluki, duke i cilësuar ato si “bombardimet më të dendura në një zonë të vetme” që nga fillimi i armiqësive në zonë kufitare tre muaj më parë.

Militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani, kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përgjatë kufirit jugor të Libanit, për të shprehur përkrahjen për Hamasin në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit ndërmorën një sulm të befasishëm kundër Izraelit më 7 tetor duke vrarë mbi 1 mijë njerëz dhe marrë mbi 200 pengje, çka shkaktoi një reagim ushtarak izraelit në shkallë të gjerë ndaj Hamasit që ka kontrolluar Rripin e Gazës që nga viti 2007.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer "sulme ajrore dhe me artileri" kundër pozicioneve të Hezbollahut dhe infrastrukturës së armatimeve në Luginën e pyllëzuar të Sulukit "brenda një kohe të shkurtër".

Burimet libaneze të sigurisë nuk konfirmuan nëse ishin goditur objektivat e Hezbollahut, por thanë se grupi i armatosur rëndë e ka përdorur luginën për të lëshuar raketa kundër Izraelit.

Radioja izraelite ‘Kan’ raportoi të martën për atë që e quajti një sulm jashtëzakonisht të madh nga forcat ajrore izraelite dhe artileria ndaj dhjetëra objektivave në Luginën e Sulukit.

Hezbollahu tha të martën se kishte qëlluar me raketa trupat izraelite përtej kufirit kodrinor.

Ushtria izraelite tha se forcat speciale kishin kryer një sulm në zonën Ayta al-Shaab në Libanin jugor "për të eliminuar një kërcënim" dhe se një sulm ajror kishte goditur një lëshues raketash antitank të Hezbollahut në rajon.

Ushtria izraelite rrallë herë i pranon operacionet e forcave speciale, ndërsa nuk dha detaje se ku kishin vepruar dhe se çfarë lloj kërcënimi kishin eliminuar.

XS
SM
MD
LG