Lidhje

Blinken, takim me Presidentin e Egjiptit mbi hapat për frenimin e luftës Izrael-Hamas


A handout picture released by the Egyptian Presidency shows Egyptian president Abdel Fattah al-Sisi (R) meeting with US Secretary of State Antony Blinken in Cairo at the Ittihadia presidential Palace on January 11, 2024.
A handout picture released by the Egyptian Presidency shows Egyptian president Abdel Fattah al-Sisi (R) meeting with US Secretary of State Antony Blinken in Cairo at the Ittihadia presidential Palace on January 11, 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të enjten me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi në kuadër të përpjekjeve për të frenuar luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që mbahen nga militantët në Gaza. Egjipti luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një armëpushimi të përkohshëm më parë, gjatë të cilit Hamasi liroi më shumë se 100 pengje dhe Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë. Me vizitën në Egjipt, Sekretari Blinken e përfundoi turneun një javor në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit siguroi mbështetjen e vendeve arabe për rindërtimin e Gazës pas mbarimit të luftës.

Blinken, takim me Presidentin e Egjiptit mbi hapat për frenimin e luftës Izrael-Hamas
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00


Bisedimet e sotme në Kajro vijnë një ditë pasi Sekretari Blinken u takua me presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor, i cili më vonë zhvilloi bisedime me Presidentin e Egjiptit el-Sissi dhe mbretin e Jordanisë Abdullah II.

Udhëheqësit jordanezë, egjiptianë dhe palestinezë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë trysninë për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe për mbrojtjen e civilëve palestinezë.

Me vizitën e tij në Egjipt, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i dha fund turneut një javor në Lindjen e Mesme, që sipas zyrtarëve amerikanë ishte i suksesshëm në sigurimin e mbështetjes nga vendet arabe të planeve për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Sekretari Blinken siguroi mbështetjen për këtë çështje në diskutimet me udhëheqësit e Turqisë, Jordanisë, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Bahreinit gjatë misionit njëjavor.

Secili vend, së bashku me Greqinë, të cilën Sekretari Blinken e vizitoi gjithashtu, u zotuan të marrin pjesë në planifikimet për rindërtimin e Gazës, por zyrtarët thanë se rolet e tyre ende nuk janë përcaktuar në hollësi.

Megjithatë, mbështetja arabe varet jo vetëm nga përfundimi i konfliktit, por edhe nga krijimi i një rruge specifike për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, diçka që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kundërshton.

Kryeministri Netanyahu tha të mërkurën se Izraeli “nuk ka në plan të mbajë të pushtuar përgjithmonë Gazën ose të zhvendosë popullsinë e saj civile”.

Izraeli ka rënë dakord të lejojë një mision të Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar situatën në Gazën veriore të shkatërruar nga lufta për të parë nëse është gati për kthimin e sigurt të palestinezëve të zhvendosur.


"Dua të bëj disa çështje absolutisht të qarta: Izraeli nuk ka ndërmend ta mbajë të pushtuar përgjithmonë Gazën, ose të zhvendosë popullsinë e saj civile. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze dhe ne jemi duke bërë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ushtria izraelite po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat në mesin e civilëve, ndërsa Hamasi po bën të pamundurën për t'i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore", tha ai.

Diplomatët thanë se Izraeli ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vizituar vendin më vonë këtë muaj.

Një i dërguar i posaçëm i OKB-së do të kryejë gjithashtu një mision në Izrael dhe Bregun Perëndimor në fund të janarit për të mbledhur informacion mbi dhunën seksuale ndaj pengjeve, që thuhet se është kryer nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit dhe pas tij.

XS
SM
MD
LG