Lidhje

Florida mund të importojë ilaçe nga Kanadaja


Agjencia amerikane për ushqimin dhe barnat, FDA, miratoi të premten kërkesën e shtetit të Floridës, i pari në vend, që të importojë ilaçe nga Kanadaja.

Vendimi erdhi pasi në Shtetet e Bashkuara kishte kohë që kërkohej që të lejohej importi i barnave më të lira pas dekadash pakënaqësish prej çmimeve të larta të ilaçeve në Shtetet e Bashkuara.

Guvernatori republikan Ron DeSantis, i cili aktualisht po kandidon për Shtëpinë e Bardhë, e kishte nënshkruar ligjin për planin e Floridës në vitin 2019.

Megjithatë, plani duhej të shqyrtohej dhe të miratohej nga agjencia federale, FDA, e cila kontrollon importin e ilaçeve që jepen me recetë.

Presidenti Joe Biden ka mbështetur programe të tilla si një mënyrë për të ulur çmimet, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv në vitin 2021 që e udhëzon FDA-në që të punonte me shtetet lidhur me importin e ilaçeve.

Ky ndryshim politikash nxjerr në pah një qasje të re pas vitesh lobimi të suksesshëm nga industria farmaceutike amerikane, e cila aludonte se importi do t’i ekspozonte amerikanët ndaj rrezikut që paraqesin ilaçet e manipuluara ose falsifikuara.

Rregullatori amerikan për barnat, FDA, kishte theksuar më parë vështirësitë për gjetjen e barnave të sigurta që prodhohen jashtë vendit.

Por politikat rreth kësaj çështje kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, pasi edhe ish Presidenti Donald Trump pati kërkuar importin e ilaçeve.

FDA-ja thotë se Florida përfiton një autorizim dyvjeçar, megjithëse importi nuk do të fillojë menjëherë. Në bazë të rregullave federale, zyrtarët e Floridës duhet t’i testojnë paraprakisht ilaçet për t'u siguruar që ato janë autentike dhe t'i rietiketojnë ato në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet amerikane.

Departamenti i shëndetësisë së Floridës duhet t’i ofrojë rregullatorit federal, FDA, një raport tremujor lidhur me llojet e barnave të importuara, kursimet dhe çdo element të mundshëm që lidhet me sigurisë dhe cilësisë.

XS
SM
MD
LG