Lidhje

Dorëheqja e presidentes së Harvardit hedh dritë tek përdorimi i plagjiarizmit si instrument kundër universiteteve


Dorëheqja e presidentes së Universitetit të Harvardit, Claudine Gay po hedh dritë mbi përdorimin e zbulimit të rasteve të plagjiaturës, një mëkat kardinal në akademi, si një armë të re të mundshme nga konservatorët për të goditur arsimin e lartë.

Prof. Gay njoftoi largimin nga detyra të martën pas javësh të tëra akuzash në rritje se kishte përdorur paragrafë të shkruar nga studiues të tjerë në disertacionin e saj të doktoraturës dhe artikuj akademikë. Akuzat u shfaqën mes reagimit të ashpër ndaj dëshmisë së saj në Kongres lidhur me antisemitizmin në Harvard.

Akuzat për plagjiaturë nuk erdhën nga kolegët e saj akademikë, por nga kundërshtarët e saj politikë, me në krye konservatorët që u përpoqën ta rrëzonin presidenten e Harvardit dhe e vunë nën lupën e vëzhgimit të gjithë karrierën e saj, në përpjekje për të identifikuar gabime fatale.

Prof. Gay ka një doktoraturë në shkenca politike, ka qenë profesore në universitetet e Harvardit dhe Stanfordit dhe drejtonte departamentin më të madh të Harvardit përpara se të emërohej si presidente e tij.

Kundërshtarët e saj thanë se ajo u zgjodh në atë post kryesisht sepse ishte afrikano-amerikane.

Christopher Rufo, një aktivist konservator që ndihmoi në orkestrimin e përpjekjes për shkarkimin e saj, e cilësoi largimin e saj si një fitore në fushatën e tij kundër institucioneve elitare të arsimit të lartë.


"Nesër, ne do t'i kthehemi luftës," tha ai në platformën X, dikur Twitter, duke shpalosur një "skenar" kundër institucioneve që konsiderohen shumë liberale nga konservatorët. Tani ai ka vënë në shënjestër përpjekjet për nxitur larminë, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në arsim dhe biznes.

“Ne nuk duhet të ndalemi derisa ta çrrënjosim këtë ideologji nga çdo institucion në Amerikë,” tha ai. Në një postim tjetër, ai njoftoi për një "fond të ri për të luftuar plagjiaturën", duke u zotuar të "ekspozojë kalbëzimin në universitetet elitare dhe rikthimin e së vërtetës, në vend të ideologjisë që ka në qendër racën, si parimin më të lartë në botën akademike".

Prof. Gay nuk i përmendi drejtpërdrejt akuzat për plagjiaturë në letrën ku njoftonte dorëheqjen e saj, por ajo theksoi se ishte e shqetësuar që vihej në dyshim angazhimi i saj "ndaj rigorozitetit akademik”. Ajo gjithashtu iu referua në mënyrë indirekte seancës së Kongresit që u mbajt në dhjetor, nga ku filloi vala e kritikave ndaj saj, pasi ajo nuk u shpreh qartazi se thirrjet për gjenocid ndaj hebrenjve shkelnin rregullat e Harvardit.

Largimi i saj vjen vetëm gjashtë muaj pasi u bë presidentja e parë afrikano-amerikane e Harvardit. Presidentët e universiteteve shpesh përballen me shqyrtimin e hollësishëm të karrierës së tyre dhe ka pasur disa drejtues të tyre që janë rrëzuar nga skandalet e plagjiaturës.

Presidenti i Universitetit të Stanfordit dha dorëheqjen vitin e kaluar pasi doli në pah se kishte manipuluar të dhënat shkencore në kërkimet e tij. Një president i Universitetit të Karolinës së Jugut dha dorëheqjen në vitin 2021 pasi përdori paragrafë që nuk ishin shkruar prej tij në një fjalim të tij në një ceremoni diplomimi.

Në rastin e profesores Gay, shumë akademikë shprehën shqetësimin me mënyrën se si dolën në dritë rastet e plagjiaturës: si pjesë e një fushate të koordinuar për ta diskredituar dhe për ta detyruar atë të largohej nga detyra, pjesërisht për shkak të përfshirjes së saj në përpjekjet për drejtësi racore në kampus. Dorëheqja e saj erdhi pas thirrjeve për largimin e saj nga konservatorë me peshë, përfshirë ligjvënësen Elise Stefanik, një ish-studente e Harvardit, dhe Bill Ackman, një biznesmen miliarder, i cili ka dhuruar miliona për Harvardin.

Fushata kundër zonjës Gay dhe presidentëve të tjerë të universiteteve të mëdha është bërë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të krahut të djathtë për ta ndryshuar arsimin universitar, i cili shpesh është parë si një bastion i liberalizmit. Konservatorët janë përpjekur të shkurtojnë fondet për universitetet publike, të dobësojnë mbrojtjet për karrierën e akademikëve si edhe të ndalojnë nismat që përmirësojnë qasjen e studentëve me ngjyrë, atyre me aftësi të kufizuara dhe komunitetit LGBTQ+ tek universitetet. Ata gjithashtu kanë bërë përpjekje të kufizojnë mënyrën se si diskutohen raca dhe gjinia në auditore.

Walter M. Kimbrough, ish-presidenti i Universitetit Dillard, një institucion historikisht me shumica afrikano-amerikane, thotë se ajo që ndodhi në Harvard i kujton një shprehje të nënës së tij, një afrikano-amerikane e diplomuar në Universitetin Berkeley të Kalifornisë, në vitet 1950.

Si një person me ngjyrë në akademi, "duhet të jesh gjithmonë dy herë, tri herë më i zoti," thotë ai.

"Do të ketë gjithmonë nga ata, veçanërisht nëse mendojnë se personi me ngjyrë nuk është më i kualifikuari, të cilët do t'i etiketojnë si 'të punësuar për shkak të racës, siç u përpoqën ta etiketonin atë (presidenten e Harvardit)" thotë prof. Kimbrough.

Aktivistët konservatorë dhe më pas një komision i Harvardit gjetën disa mangësi në citimet akademike të presidentes Gay. Në dhjetra raste të botuara për herë të parë nga media konservatore “Washington Free Beacon”, punimet e saj akademike përmbajnë pasazhe të gjata që janë njëlloj si ato të botimeve të studiuesve të tjerë. Një shqyrtim i këtyre rasteve nga Harvardi arrin në përfundimin se ka "formulime të njëjta" dhe në disa raste mungesë citimesh kur janë përdorur paragrafë nga autorë të tjerë, por se gabimet "nuk konsiderohen të qëllimshme ose të papërgjegjshme". Harvardi kishte thënë më parë se presidentja Gay kishte bërë korrigjimet në disertacionin e saj dhe kishte kërkuar që të bëheshin korrigjime edhe në artikujt e revistave akademike.

Për kritikët e saj në qarqet konservatore dhe botën akadamike, këto gjetje janë dëshmi e qartë se prof. Gay, si drejtuese e një institucioni në majat e arsimit të lartë në SHBA, nuk është personi i duhur për këtë post. Përkrahësit e saj thonë se çështja nuk është aq e thjeshtë.

Në fusha shumë të specializuara, studiuesit shpesh përdorin gjuhë të ngjashme për të përshkruar të njëjtat koncepte, thotë Davarian Baldwin, një historian në Kolegjin Trinity që shkruan për çështjet e racës dhe arsimit të lartë. Ai thotë se është e qartë që prof. Gay ka bërë gabime, por se me përhapjen e një programi kompjuterik të krijuar për të diktuar raste plagjiature, nuk është e vështirë të gjesh mbivendosje të ngjashme në punët e presidentëve dhe profesorëve të tjerë.

Ky mjet bëhet i rrezikshëm, shton ai, kur "bie në duart e atyre që argumentojnë se akademia në përgjithësi është një moçal të paaftësh dhe aktorësh të këqij".

John Pelissero, një ish-president i përkohshëm universiteti që tani punon për Qendrën Markkula për Etikën, thotë se rastet e plagjiaturës duhet të vlerësohen një nga një dhe se ato nuk janë bardhë e zi.

“Duhet të përcaktohet nëse ka pasur synim për të mashtruar ose huazuar në mënyrë të papërshtatshme idetë e njerëzve të tjerë në një punim, apo nëse kemi të bëjmë me një gabim të paqëllimshëm”, thotë zoti Pelissero.

Pa komentuar konkretisht për akuzat kundër prof. Gay, presidentja e Shoqatës Amerikane të Profesorëve të Universiteteve, Irene Mulvey thotë se druhet se hetimet për plagjiaturë mund të “përdoren si instrument” për të ndjekur një axhendë politike.

"Aktualisht arsimi i lartë është objekt i një sulmi politik nga krahu i djathtë dhe të krijohet ndjesia se lirisë akademike që e ka bërë arsimin e lartë amerikan të jetë një shembull për botën, po i kanoset një kërcënim ekzistencial", thotë zonja Mulvey.

Ajo shqetësohet se largimi nga detyra i presidentes Gay, do ta shtojë presionin ndaj presidentëve të universiteteve. Përveç punës për të tërhequr donatorë dhe për të ruajtur marrëdhëniet me qarqet me ndikim në botën e arsimit të lartë dhe ish-studentët, presidentët kanë për detyrë gjithashtu të mbrojnë profesorët e tjerë nga ndërhyrjet në mënyrë që ata të ushtrojnë pa pengesa lirinë e tyre akademike.

“Një rrëzim i tillë i një presidenteje universiteti, nuk është shenjë e mirë për lirinë akademike,” thotë ajo. “Mendoj se e frenon lirinë akademike. Dhe kjo mund t'i bëjë presidentët e universiteteve më pak të prirur të flasin kundër këtyre ndërhyrjeve të papërshtatshme, nga frika se mos humbasin postin ose vihen në shënjestër."

XS
SM
MD
LG