Lidhje

Izraeli thotë se do të tërheqë disa mijëra ushtarë nga Gaza


Ushtarët izraelitë vëzhgojnë pjesën veriore të Rripit të Gazës, më 1 janar, 2024/ AFP
Ushtarët izraelitë vëzhgojnë pjesën veriore të Rripit të Gazës, më 1 janar, 2024/ AFP

Ushtria izraelite njoftoi të hënën se do të largojë disa mijëra ushtarë izraelitë nga Rripi i Gazës, hera e parë që ushtria zvogëlon praninë e saj që nga fillimi i luftës ndërkohë që luftimet po vazhdojnë në pjesën jugore të këtij rajoni.

Ky manovrim i ushtrisë izraelite mund të jetë një shenjë se intensiteti i luftimeve po zvogëlohet në disa pjesë të Gazës, sidomos në pjesën veriore ku ushtria ka njoftuar se është afër kontrollit të plotë zonës. Izraeli është nën trysni nga Shtetet e Bashkuara për të ulur intensitetin e luftimeve.

Lajmi për zvogëlimin e trupave u dha pak para vizitës së Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në rajon dhe pasi administrata e Presidentit Biden shmangu Kongresin për herë të dytë brenda dhjetorit duke miratuar shitjen urgjente të armëve Izraelit.

Por luftimet e ashpra kanë vazhduar në pjesë tjera të Gazës, sidomos në qytetin jugor Khan Younis dhe pjesët qendrore të Rripit. Izraeli është zotuar se do të vazhdojë luftën deri në realizimin e objektivave të luftës, përfshirë shkatërrimin e Hamasit, që ka qeverisur për 16 vite Rripin e Gazës.

Ushtria njoftoi të hënën përmes një deklarate se pesë brigada apo disa mijëra trupa, do të largohen nga Gaza në javët e ardhshme për trajnim dhe pushim.

Në një konferencë për shtypin të dielën, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari nuk tha nëse ky vendim do të thotë se Izraeli po nis një fazë të re të luftës.

“Synimet e luftës nënkuptojnë luftime të stërzgjatura dhe ne duhet të përgatitemi për këtë”, deklaroi tha ai.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin në luftën e nxitur nga sulmi që ky grup militant ndërmori ndaj Izraelit më 7 tetor, që la 1,2000 të vrarë. Rreth 240 pengje janë rrëmbyer nga Hamasi.

Izraeli është kundërpërgjigjur me një fushatë ajrore, tokësore dhe detare që ka lënë mbi 21,900 të vrarë në Gazë, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që nuk bën ndarjen e viktimave civile nga militantët në regjistrat e saj.

Izraeli thotë se ka vrarë mbi 8,000 militantë, por nuk ka ofruar dëshmi. Izraeli e fajëson Hamasin për numrin e lartë të viktimave civile, duke thënë se militantët operojnë në pjesë rezidenciale, përfshirë shkolla dhe spitale.

Në Khan Younis, ku Izraeli besohet se ka dërguar mijëra ushtarë, banorët raportuan sulme ajrore dhe bombardime në pjesën perëndimore dhe qendrore të qytetit. Ushtria dhe grupi militant Xhihadi Islamik raportuan përplasje në këtë zonë.

Gjysmë-Hëna Palestineze njoftoi në platformën X se ka transportuar disa të vdekur dhe të lënduar pas sulmit të së dielës mbrëma në Rrugën e Plazhit në Khan Younis.

Luftime janë raportuar edhe në kampet refugjate në pjesën qendrore të Gazës, ku Izraeli zgjeroi operacionet javën e kaluar.

“Kjo është rutina jonë: bombardime, masakra dhe martirë”, tha palestinezi Saeed Moustafa nga kampi Nuseirat. Ai tha se ka dëgjuar shpërthime dhe të shtëna të herëpashershme në këtë kamp dhe zonat përreth.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, 156 njerëz janë vrarë gjatë ditës së fundit.

Ushtria izraelite njoftoi se Adel Mismah, komandanti rajonal i forcave elitë të Hamasit është vrarë gjatë një sulmi ajror në qytetin Deir al-Balah.

Ndërkohë, Hamasi hodhi një numër raketash në drejtim të Izraelit, përfshirë një zonë komerciale të Tel Avivit në mesnatë, në natën e Vitit të Ri.

Izraeli ka paralajmëruar se lufta do të zgjasë me muaj dhe ka thënë se i duhet kohë për të çarmatosur Gazën dhe për të shkatërruar infrastrukturën e militantëve të Hamasit, në mënyrë që ata të mos jenë në gjendje të sulmojnë sërisht Izraelin. Izraeli u ka rezistuar thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim afatgjatë, duke thënë se ndalimi i luftimeve do të ishte fitore për Hamasin.

Sipas ish ushtarakut Shlomo Brom, i cili në të kaluarën ishte përgjegjës për planifikim strategjik në ushtrinë izraelite, ndryshimet e paralajmëruara të numrit të ushtarëve të angazhuar në Gazë mund të jenë rezultat i trysnisë amerikane. Ai theksoi se kjo mund të paralajmërojë ndryshim të qasjes së Izraelit ndaj mënyrës se si po e zhvillon luftën në disa pjesë të Gazës.

“Lufta nuk po ndalet,” deklaroi gjenerali Brom. “Është fillimi i një mënyre tjetër të veprimit.”

Izraelitët ende kryesisht e mbështesin luftën kundër Hamasit pavarësisht numrit në rritje të ushtarëve të vrarë.

Gjatë fundjavës, ushtria izraelite njoftoi se 172 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i luftës, 18 prej të cilëve janë vrarë aksidentalisht dhe 11 për shkak të defekteve të armatimit ose në aksidente.

XS
SM
MD
LG