Në Suedi është vënë në punë një impiant modern për klasifikimin e lëndëve plastike, më i madhi i këtij lloji në botë. Impianti është aq i madh sa mund të përpunojë pothuajse të gjitha mbetjet plastike të Suedisë. Bashkimi Evropian ka në plan të miratojë ligje që kërkojnë që ambalazhet plastike të përmbajnë të paktën 35% lëndë të parë nga materialet e ricikluara.
Mes zhurmës shurdhuese, rripat e transportit bartin 40 tonë mbetje plastike në orë në impiantin e ri modern.
Mbeturinat të gjitha llojeve të plastikës përpunohen në këtë kompleks prej 60 mijë metrash katrorë. Mbetjet ndahen sipas madhësisë dhe llojit përmes një sistemi të automatizuar që përdor kamera me rreze infra të kuqe. Impianti “Site Zero” u ndërtua me synimin për të përpunuar 200 mijë tonë mbetje plastike shtëpiake në vit.
Ndryshe nga impiantet tradicionale, fabrika e re mund të përpunojë të gjitha llojet e plastikës që tregtohen në Suedi, një arritje vendimtare për të rritur cilësinë e riciklimit të mbetjeve plastike dhe përdorimit të tyre si lëndë të parë.
“Ky është rezultati përfundimtar. Çdo lloj mbeturine plastike është ndarë veçmas. Shishet e ndryshme të salcave apo mbështjellësit e çokollatave dhe karameleve. Gjithçka është veçmas. Në një turrë tjetër janë llojet e ndryshme të plastikës së ngurtë. Gjithçka renditet veçmas dhe mund të riciklohet veçmas”, thotë Mattias Philipsson, shefi i firmës ‘Sweden Plastic Recycling’, një kompani jofitimprurëse që drejton impiantin dhe është përgjegjëse për trajtimin e mbetjeve plastike shtëpiake të Suedisë.
Klasifikimi i mbeturinave plastike rrit rendimentin e përdorimit të tyre si lëndë e parë, pasi mbetjet e përziera kur shkrihen kanë një vlerë të ulët. Rreth 95% e mbeturinave në këtë impiant klasifikohen me saktësi dhe dërgohen për riciklim. Bashkimi Evropian ka në plan të miratojë ligje që kërkojnë që ambalazhet plastike të përmbajnë të paktën 35% materiale të ricikluara.
Në Suedi, kompanitë që nxjerrin sende plastike në treg mbajnë përgjegjësi për të gjithë ciklin e jetës së produkteve të tyre dhe paguajnë tarifa për grumbullimin dhe riciklimin e tyre pas përdorimit.
“Deri më sot në mbarë botën janë prodhuar rreth 8 miliardë tonë sende plastike ose rreth një ton për çdo njeri të gjallë sot. Pjesa më e madhe e botës nuk ka impiante për menaxhimin e shkallës së lartë të mbetjeve plastike”, thotë hulumtuesi Robert Blasiak.
Bota prodhon çdo vit rreth 430 milionë tonë lëndë plastike, dy të tretat e të cilave kthehen në mbeturina brenda një kohe të shkurtër dhe përfundojnë në oqeane dhe vende të tjera, dhe në disa raste futen edhe në zinxhirin e furnizimit ushqimor, sipas një raporti nga Kombet e Bashkuara.