Lidhje

Sulme të reja ruse në Ukrainë, pas sulmit në qytetin rus kufitar të Bolgorodit


Rusia kreu sulme të reja ndaj Ukrainës të shtunën në mbrëmje, duke premtuar se sulmi i mëparshëm në qytetin rus kufitar të Bolgorodit “nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë të dielën se kanë rrëzuar 21 nga 49 dronë të lëshuar nga forcat ruse.

Njëzet e tetë persona u plagosën në sulmet në lindje të qytetit të Kharkivit, tha të dielën guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synielhubov. Një hotel, apartamente, një kopsht fëmijësh, dyqane dhe një ndërtesë administrative u dëmtuan në këto sulme, sipas zyrës së prokurorit rajonal.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte goditur “qendra të vendimmarrjes dhe ato ushtarake” në Kharkiv, duke raportuar se sulmi në hotelin “Palace” “kishte shkatërruar Drejtorinë Kryesore të Zbulimit dhe atë të forcave të ushtrisë ukrainase”, që janë përfshirë në “sulmin terrorist” në Bolgorod.

Në rajonet rreth Kievit, një dron rus shkaktoi zjarr në një infrastrukturë kritike, thanë zyrtarët lokalë pa dhënë hollësi të tjera.

Bombardimet në qytetin kufitar rus të Bolgorodit të shtunën shkaktuan vrasjen e 24 vetëve, përfshirë tre fëmijë. Guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov tha të dielën se 108 të tjerë u plagosën në këtë sulm, duke e bërë atë sulmin më vdekjeprurës në territorin rus që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjëra të Moskës ndaj Ukrainës 22 muaj më parë.

Autoritetet ruse akuzuan Kievin për sulmin, i cili ndodhi 18 orë pas sulmeve ajrore ruse në të gjithë Ukrainën, në të cilat u vrarë 41 civilë.

Ukrainasit po përgatiten për sulme të tjera nga Rusia gjatë këtyre ditëve. Vitin e kaluar Rusia kreu sulme në shkallë të gjerë në natën e vitit të ri, duke vrarë të paktën tre civilë.

XS
SM
MD
LG