Në Tiranë, Gjykata e Lartë bëri sot të ditur se ka dhënë gjatë këtij viti çdo ditë mbi 21 vendime të natyrës administrative dhe penale.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, pohoi sot se plotësimi i trupës me 18 gjyqtarë po ul me shpejtësi numrin e çështjeve gjyqësore të prapambetura.
“Çdo gjyqtar ka mbajtur një ngarkesë prej 440 vendimesh në vit, një shifër rekord, që është afro dyfishi i vitit më të mirë të kësaj gjykate”, tha zoti Sadushi për mediat.
Ai theksoi se norma e trajtimit të çështjeve për këtë vit në Gjykatën e Lartë është mbi 425 për qind. “Gjatë këtij viti u regjistruan mbi një mijë e 846 çështje të reja, ndërkohë që janë dhënë vendime 4 herë më shumë”, tha zoti Sadushi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi se 24 mijë çështjet e vonuara janë në tejkalim të afateve ligjore të arsyeshme për gjykim, por kishte gjetur 36 mijë dosje dhe vlerësoi se “ulja e shifrave deri këtu është mbresëlënëse”, ndërsa shpreson që “brenda dy vjetëve do të shmangen gjithë stoqet”.
Zoti Sadushi theksoi se pasi të kapërcehen çështjet e viteve 2017-18 në Gjykatën e Lartë nuk do të ketë më çështje që do të kalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit.
Në statistikat e Gjykatës së Lartë u shënua edhe këtë vit dukuria e heqjes dorë nga ankesat e institucioneve për vendimet e gjykatave më të ulta. Më shumë se treçereku i 468 tërheqjeve nga rekursi u përkasin institucioneve publike dhe pjesa tjetër individëve.
Gjykata e Lartë ka vërejtur numrin e lartë të rekurseve, që dukshëm nuk e kalojnë nivelin e pranueshmërisë, një ngarkesë e panevojshme burokratike, që sa vjen e po ulet bashkë me uljen e stokut të çështjeve në këtë gjykatë.