Investimi i miliarda dollarëve për të luftuar ndryshimet klimatike ka qënë një përparësi kryesore për administratën e Presidentit Biden gjatë vitit 2023.
Viti 2023 shënoi nivele rekord në emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë, ndërsa moti i skajshëm u bë gjithnjë e më i pranishëm. Administrata e Presidentit Biden u përqendrua në zbatimin e dy masave legjislative prej disa qindra miliarda dollarësh për klimën.
“Që nga industria e automjeteve elektrike, energjia nga dielli dhe era, bujqësia që nuk e dëmton mjedisin dhe prodhimi i materialeve të pastra si çeliku dhe çimentoja, po shohim hapje masive të vendeve të punës”, thotë Ali Zaidi, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për klimën.
Por miratimi në mars për nxjerrje nafte dhe gazi në Alaskë u perceptua si një premtim i pambajtur nga ata që kërkojnë një ndalim e plotë të nxjerrjes së karburanteve fosile. Uashingtoni argumentoi se ligjërisht i kishte duart e lidhura.
“Projekti ishte miratuar në një formë tjetër në vitin 2018, nën administratën e Presidentit Trump, por u ndalua nga paditë dhe një gjykatë federale kërkoi nga organet përkatëse që të vlerësonte ndikimin ndaj mjedisit. Kështu që vendimi ra mbi administratën e Presidentit Biden”, thotë Martin Lockman me Fakultetin Juridik pranë Universitetit Kolumbia.
Anulimi në shtator i shtatë licencave për nxjerrjen e gazit dhe naftës në parkun kombëtar të Alaskës i qetësoi aktivistët që mbështesin një ekonomi që nuk dëmton mjedisin.
Nga ana tjetër, veprimi nxiti kritika të forta nga republikanët dhe disa komunitete indigjene që varen nga industria e nxjerrjes së naftës dhe gazit.
“Vendet më të shumta të punës janë në pjesën veriore. Jetesa e tyre varet nga të ardhurat e industrisë së nxjerrjes së naftës dhe gazit. Me këto të ardhura ata mbajnë komunitetet dhe hapin vende pune. Cilat janë zgjedhjet e tjera në zëvendësimin e ekonomisë bazë? Shkatërrimi i kësaj industrie do të sjellë vështirësi për komunitetet”, thotë NagrukHarcharek, President i korporatës jofitimprurëse Zëri i Arktikut Iñupiat.
Këto lloj shqetësimesh nuk e befasojnë Institutin e Burimeve Botërore, një organizatë jofitimprurëse me qendër në kryeqytetin amerikan.
“Është gjithmonë një sfidë kur ke të bësh me çështje të zhvillimit lokal dhe vendet e punës kur flitet për ndikimin tek mjedisi në shkallë lokale apo globale. Kështu që lind ky lloj debati. Administrata e Presidentit Biden ka bërë shumë në përmirësimin e konsultimeve me grupet indigjene, por është një rrugë e gjatë”, thotë Dan Lashof me Institutin e Burimeve Botërore.
Administrata e Presidentit Biden i tha Zërit të Amerikës se ka programe në zbatim për të ndihmuar komunitetet që të bëjnë kalimin tek ekonomia e gjelbër dhe se planifikon të vazhdojë zbatimin e agjendës së saj mjedisore gjatë vitit 2024.
“Duhet të vazhdojmë përpjekjet për të ofruar më shumë mundësi ekonomike për komunitetet që kanë pësuar padrejtësi mjedisore. Duhet të ndërtojmë një infrastrukturë dhe ekonomi për të konkurruar në shekullin 21 dhe kjo duhet bërë në një mënyrë që të kuptohet se jemi përballë një krize të vërtetë”, thotë Ali Zaidi, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për klimën.
Në arenën ndërkombëtare, megjithëse zoti Biden e anashkaloi Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën në Dubai, ai siguroi një premtim këtë vit për përtëritjen e bashkëpunimit klimatik me Kinën. Bota do ta ndjekë me vëmendje nëse bashkëpunimi i dy vendeve, emetuesit më të mëdhenj të gazeve që shkaktojnë efektin serë, materializohet dhe jep fryte gjatë vitit 2024.