Kandidatja republikane për presidente Nikki Haley u pyet gjatë një takimi elektoral në Nju Hempshër, se cila ishte arsyeja që vendi u përfshi në Luftë Civile, por në përgjigjen e saj ajo nuk përmendi skllavërinë. Disa orë më vonë ajo ndryshoi qëndrim.
E pyetur të mërkurën në mbrëmje ndërsa ndodhej në një takim në qytetin e Berlinit, se çfarë besonte ajo, se kishte shkaktuar luftën, zonja Haley foli mbi rolin e qeverisë, duke u përgjigjur se kishte të bënte me “liritë e njerëzve, rreth asaj çka mund dhe nuk mund të bënin”.
Më pas ajo iu kthye me një kundërpyetje personit që pyeti, i cili u përgjigj se nuk ishte ai që po kandidonte për president dhe se dëshironte të dinte përgjigjen e saj.
Me pas zonja Haley vazhdoi me një shpjegim më të gjatë, rreth rolit të qeverisë, lirive individuale dhe kapitalizmit. Në vazhdim personi që e pyeti i tha zonjës Haley se: “në vitin 2023, është e habitshme për mua që ju i përgjigjeni kësaj pyetjeje pa përmendur fjalën skllavëri”.
"Çfarë doni të them mbi skllavërinë?", u përgjigj zonja Haley përpara se të kalonte papritur tek përgjigjja e një tjetër pyetjeje.
Ish-ambasadorja e Kombeve të Bashkuara dhe guvernatorja e Karolinës së Jugut, po punon për t'u shndërruar në sfiduesen kryesore të Donald Trump-it në garën brenda partisë për emërimin si kandidate për presidente në vitin 2024. Është e paqartë nëse komentet e saj, mbi atë se çfarë u bë shkak për Luftën Civile, do të kenë një ndikim politik afatgjatë, veçanërisht në mesin e votuesve të pavarur që janë vendimtarë për fushatën e saj.
Ajo u tërhoq nga qëndrimet e saj mbi Luftën Civile 12 orë më vonë. Zyrtarët e fushatës së saj shpërndanë një intervistë radiofonike të dhënë të enjten herët në mëngjes, gjatë së cilës ajo shprehej: "Sigurisht që Lufta Civile kishte të bënte me skllavërinë", diçka që ajo e quajti "një njollë për Amerikën". Më tej ajo vazhdonte duke përsëritur se “liria ka rëndësi dhe se të drejtat dhe liritë individuale kanë rëndësi për të gjithë njerëzit”.
Rivalët e saj republikane i kujtuan me shpejtësi komentet e saj fillestare mbi këtë çështje edhe pse shumica e tyre janë akuzuar se kanë minimizuar ndikimin e skllavërisë në vend.
Zyrtarët e fushatës së Guvernatorit të Floridës Ron DeSantis, riqarkulluan në mediat sociale videon e shkëmbimit origjinal mes zonjës Haley dhe qytetarit që e pyeti, shoqëruar me një koment me sarkazëm ndaj saj. Gjatë fushatës në Ajoua të enjten, zoti DeSantis tha se zonja Haley "ka pasur disa probleme me të kuptuarit e historisë bazë amerikane" dhe se "nuk është aq e vështirë të identifikohet dhe të pranohet roli që skllavëria luajti në Luftën Civile".
Në fillim të vitit zoti DeSantis është përballur me kritika lidhur me skllavërinë, kur Florida miratoi standarde të reja arsimore, që u kërkonin mësuesve të udhëzonin nxënësit e shkollave të mesme, se skllevëria ishte dhe një formë aftësimi, pasi skllevërit përfitonin zanate.
Senatori amerikan i Karolinës së Jugut Tim Scott, i vetmi republikan afrikano amerikan në Senat e hodhi poshtë atë karakterizim, duke thënë se skllavëria kishte të bënte me “ndarjen e familjeve, me gjymtimin e njerëzve dhe madje edhe me përdhunimin e grave të tyre”.
‘Make America Great Again’, një grup politik konservator që mbështet fushatën e zotit Trump, nxorri një deklaratë duke thënë se përgjigja e zonjës Haley tregon se ajo "qartësisht nuk është gati për zënë një vend në krye të garës". Grupi nxorri gjithashtu një postim të republikanit të Floridës, Byron Donalds, një afrikano amerikan që mbështet zotin Trump, i cili shkruante në rrjetin X: “përgjigja është skllavëria dhe pikë, Haley. Por kjo realisht nuk ka rëndësi sepse Trump-i do të jetë kandidati për 2024!”.
Zoti Trump nuk përmendi dy shekujt e skllavërisë në Amerikë në një aktivitet në vitin 2020 me rastin e 223 vjetorit të nënshkrimit të Kushtetutës. Ai u përqendrua në themelimin e Amerikës që kishte "vënë në lëvizje zinxhirin e pandalshëm të ngjarjeve që i dhanë fund skllavërisë, siguruan të drejtat civile, mundën komunizmin dhe fashizmin si dhe ndërtuan kombin më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatë në historinë njerëzore".
Zonja Haley ka qenë nën trysni edhe më parë mbi çështjen e origjinës së Luftës Civile. Teksa kandidoi për guvernatore në vitin 2010, në një intervistë me një grup aktivistësh, zonja Haley, e cilësoi luftën si një luftë mes dy palëve të ndryshme për "traditë" dhe "ndryshim" dhe tha se flamuri i Konfederatës ishte "jo diçka raciste".
Gjatë së njëjtës fushatë, ajo hodhi poshtë nevojën që flamuri të hiqej nga një prej godinave zyrtare të këtij shteti duke e portretizuar nxitjen që rivali i saj demokrat i bënte për këtë çështje, një marifet të dëshpëruar politik.
Pesë vite më vonë, zonja Haley u kërkoi ligjvënësve ta hiqnin flamurin, që ndodhej pranë një monumenti të një ushtari të Konfederatës, pas një sulmi në masë në Charleston të Karolinës së Jugut, gjatë të cilit një person i armatosur i bardhë, vrau nëntë anëtarë të një kishe afrikano amerikane.