Në Tiranë Gjykata e Posaçme shtyu sërish për nesër gjykimin lidhur me masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e ish kompleksit sportiv Partizani.
Gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të tij për të larguar nga trupa gjykuese gjyqtaren Irena Gjoka.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për ish kryeministrin Berisha arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.
Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme mbi masën e re të arrestit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha u përqëndrua më së shumti me shqyrtimin e kërkesave të avokatëve të tij.
U rrëzua kërkesa e tyre për largimin e gjyqtares Irena Gjoka nga trupa gjykuese, ajo për pranimin e mediave në ndjekjen e procesit, si dhe kërkesa për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Prokuroria e Posaçme ka marrë autorizim nga Kuvendi për të ngritur masën e arrestit ndaj zotit Berisha, person nën hetim për çështjen Partizani, nga detyrim paraqitje, që ai nuk e respektoi në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.
Avokatët e zotit Berisha komentuan se gjykata nuk mund të vendosë mbikëqyrje policore, apo të kufizojë lirinë e fjalës së tij, për shkak të veprimtarisë politike.
Ata bënë të ditur që edhe pse Gjykata e rrëzoi kërkesën për largimin e gjyqtares Gjoka, e cila është edhe drejtuese e Gjykatës së Posaçme ata e përsëritën këtë kërkesë për herë të dytë.
“E bëmë këtë sepse kjo gjykatë për herë të parë ka hapur një precedent: ajo vazhdon gjykimin me kërkesë përjashtimi të pagjykuar. Po ashtu edhe gjykimi incidental që kërkuam. Të gjithë kërkesat tona janë rrëzuar pa u marrë vendimi për kërkesën e përjashtimit”, tha avokati Genc Gjokutaj, i cili përfaqëson zotin Berisha.
Ish kryeminstri Sali Berisha është person nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit Sportiv Partizani, i cili dyshohet nga SPAK për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh.
Ai kundërshtoi masën detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese, ndërsa më tej Prokuroria e Posaçme kërkoi nga Kuvendi autorizim për të forcuar masat e sigurisë, i cili u miratua nga ligjvënësit.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar kthimin në arrest me burg edhe për Malltezin, për të cilin Apeli e kaloi në arrest shtëpie.
Një tjetër pjesëtar i familjes Berisha, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar mbi çështjen e Gërdecit, ku nga shpërthimi i një sasie të madhe baruti gjatë zbërthimit të municioneve ushtarake humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 250 të tjerë.
Ai mohoi që të ketë ndonjë lidhje me këtë çështje, dhe tha se takimet dhe telefonatat me ish ministrat Mediu dhe Bumçi nuk kanë patur lidhje me këtë çështje, por janë bërë për arsye të njohjes dhe miqësive të hershme me ta.
Shkëlzen Berisha është në mesin e mbi 70 dëshmitarëve të thirrur mbi çështjen e rihapur të Gërdecit.