Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit për të shpallur si të papajtueshëm me Kushtetutën riorganizimin e rretheve gjyqësore, njohur si Harta e re Gjyqësore, e cila u miratua nga qeveria në korrik të vitit të kaluar.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se harta e re nuk cënon të drejtën e aksesit në gjykatë në atë masë sa që pasojat negative të jenë më të rënda se cilësia e kërkuar në dhënien e drejtësisë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ndërhyrje në riorganizimin e gjykatave nuk cënon parimin e proporcionalitetit.
Gjykata theksoi, duke krahasuar pasojat, se individët kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, pavarësisht pasojave negative që vijnë nga riorganizimi gjyqësor.
Pasi dëgjoi gjithë subjektet e interesuara, Gjykata Kushtetuese theksoi se riorganizimi i rretheve gjyqësore respekton kriterin e proporcionalitetit të ndërhyrjes sa i takon lirisë së veprimtarisë ekonomike.
Gjykata theksoi se sa i takon pretendimit për cënim të të drejtës së barazisë para ligjit, akti ka sjellë një diferencim, megjithatë ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.
Sipas hartës së re gjyqësore, nga 1 shkurti i këtij viti, 6 gjykata Apeli u shkrinë në një të vetme në Tiranë, ku u transferuan mbi 29 mijë çështje për shqyrtim.
Prej 1 majit, nga 22 gjykata të Shkallës së Parë, sipas hartës së re, veprojnë vetëm 13 gjykata. Dosjet e proceseve në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec, transferohen në gjykata të tjera.
Faza e tretë, që nisi zbatimin nga 1 korriku, parashikon uljen e numrit të gjykatave administrative, të cilat nga 6 do të mbeten vetëm dy, një në Tiranë dhe një në Lushnje.