Disa qindra veta u mblodhën të martën jashtë selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në qendër të Beogradit, përpara se të parakalonin drejt Pallatit të Drejtësisë, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar.
Policia serbe tha të hënën se arrestoi të paktën 38 persona që morën pjesë të dielën në një protestë kundër parregullsive të raportuara gjatë votimeve të 17 dhjetorit, pas të cilave fituese u shpall Partia Përparimtare e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Të dielën në mbrëmje, protestuesit u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit, duke thyer xhamat, përpara se policia të përdorte gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për t’i shpërndarë ata.
Grupi opozitar Serbia Kundër Dhunës ka organizuar protesta tash e nëntë ditë me radhë duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytetin serb.
Disa politikanë të opozitës ndodhen në grevë urie.
"Ne nuk do ta njohim vjedhjen (e votave) dhe vullneti elektoral i qytetarëve të Beogradit do të mbrohet!", i tha turmës së mbledhur të martën kandidati i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit, Vladimir Obradoviç.
Ish presidenti serb Boris Tadiç tha ndërkaq se “vetëm trysnia, trysnia e vazhdueshme është çelësi në këto rrethana. Kjo nuk është një luftë me një raund, kjo është një luftë me shumë raunde dhe nevojitet trysni”.
Aleanca Serbia kundër dhunës javën e kaluar i kërkoi Bashkimit Evropian të hetojë rezultatet e zgjedhjeve pasi vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se votimet u mbajtën në "kushte të padrejta".
Pushteti ka mohuar të ketë pasur keqpërdorime të votave dhe nguli këmbë që zgjedhjet ishin të drejta, pavarësisht kritikave nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe atyre lokal të zgjedhjeve.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i përshkroi protestat e së dielës si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.
Ambasadori rus u tha medieve të vendit të tij se presidenti Vuçiç ka “prova të pakundërshtueshme” se perëndimi po inkurajon protestat e opozitës.
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç falënderoi të hënën Rusinë që siç tha, e kishte informuar që më parë Serbinë për mundësinë e një kryengritjeje.
Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.