Në këtë sezon festash në oborrin e bashkisë së Parisit organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë një treg Krishtlindjesh. Aty bien në sy edhe simbolet e Lojërave Olimpike të vitit 2024. Por, kjo pjesë e kryeqytetit francez nuk tërheq vetëm vizitorë. Zona është shndërruar në një qendër të dhjetëra familjeve emigrante që në mungesë të strehimit detyrohen të flenë në rrugë.
Mesatarisht, rreth pesëdhjetë familje emigrante me fëmijë të vegjël nga tre muaj deri në 10 vjeç, mblidhen çdo mbrëmje para bashkisë së Parisit.
Në këtë periudhë festash numri është i njëjtë. Ata vijnë çdo natë rreth orës 18:00 për t’u takuar me anëtarët e organizatës joqeveritare “Utopia 56,” të cilët përpiqen të gjejnë zgjidhje për familjet që nuk kanë një vend për të fjetur.
Grupi përpiqet t’u sigurojë strehim për një ose dy netë, në mënyrë që emigrantët e pastrehë të mos flenë në rrugë.
Disa nga këta njerëz kanë ngritur tenda pranë oborrit të bashkisë.
Shumica janë gra me fëmijë shumë të vegjël, nga vende si Burkina Faso, Bregu i Fildishtë, Senegali dhe Mali.
“Jemi të mbingarkuar. Po mundohemi të ofrojmë zgjidhje për strehimin e tyre. Mesatarisht arrijmë të akomodojmë rreth 20 deri 40 për qind të njerëzve, që në fakt është shumë pak. Shumë njerëz përfundojnë në rrugë”, thotë Zoe Lafargoutte, anëtare e organizatës “Utopia 56”.
20 vjeçarja Aicha, e cila kërkon të ruajë identitetin, erdhi në Paris nga Mali në vitin 2020. Dy vite më vonë ajo lindi një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Ismael.
Aicha, si shumë të tjerë, ndonjëherë duhet të flejë në kushte të rënda, kur nuk mund të gjejë një vend të ngrohtë për të fjetur.
“Flemë jashtë ose në metro, por nuk ka siguri sepse ka banditë. Është e vështirë, duhet të negociojmë me ta, nuk kemi zgjidhje. Por nuk jam vetëm unë, ka shumë familje që flenë përjashta. Është shumë e vështirë”, thotë ajo.
Një anëtare tjetër e shoqatës “Utopia 56”, Perine Rident, shpreson se Lojërat e ardhshme Olimpike që do të organizohen në kryeqytetin franez më 2024, do të tërheqin vëmendjen ndaj situatës.
“Nëse do ta shikosh anën e mirë të medaljes në gjithë këtë situatë, të paktën njerëzit po flasin për emigrantët dhe njerëzit e pastrehë”, thotë zonja Riden.
Por ajo shpreh shqetësimin se për shkak të Lojërave Olimpike autoritetet do t’i largojnë me forcë ata që kërkojnë strehim, siç edhe ka ndodhur në të kaluarën.