Gjykata njoftoi se kërkimet e Partisë Demokratike mbi pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikim, si dhe shfuqizimin e Protokollit si të papajtueshëm me Kushtetutën, nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin që Partia Demokratike nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi “nuk provohet interesi i saj i drejtpërdrejtë në çështjen kushtetuese të ngritur, në kuptimin që Protokolli të ketë sjellë pasoja negative për statusin ose funksionet e saj”.
Qeveria Rama paraqiti projektligjin dhe aktet shoqëruese më 17 nëntor në Kuvend, por ky i fundit nuk ka përmbyllur ende procedurën e ratifikimit.
Partia Demokratike thotë në kërkesën e vet se “Protokolli cenon sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, si dhe procedurën kushtetuese të lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së plotfuqive të lëshuara nga Presidenti i Republikës dhe mungesës së transparencës së negociimit të saj”.
Por Gjykata është duke e shqyrtuar tashmë kushtetutshmërinë e Protokollit “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, i nënshkruar në Romë nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Më 13 dhjetor Gjykata Kushtetuese pezulloi procedurat e nisura nga Kuvendi për miratimin e marrëveshjes Meloni - Rama për migrantët, ndërsa shqyrtoi kërkesën e një grupi deputetësh nga opozita për ta deklaruar Protokollin si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Protokolli u miratua nga komisionet parlamentare të mbledhura online, ku morën pjesë vetëm deputetë socialistë.
Një qëndrim për këtë çështje Gjykata Kushtetuese pritet ta marrë në mesin e janarit të ardhshëm, duke vazhduar shqyrtimin e njërës kërkesë nga grupi i deputetëve, e cila plotësonte kriteret paraprake të pranimit.
Protokolli Meloni - Rama parashikon ngritjen në territorin shqiptar të dy qendrave në Shëngjin dhe Gjadër për pritjen e migrantëve, që kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane, deri në përfundim të procedurave për azilin.