Forcat turke të sigurisë kanë arrestuar 304 persona të dyshuar për lidhje me grupin ekstremist Shteti Islamik në një bastisje të njëkohshme në të gjithë Turqinë, tha të premten ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Ai tha se të dyshuarit u arrestuan në 32 provinca, por shumica e tyre në tre qytetet më të mëdha të Turqisë, Stamboll, Ankara dhe Izmir.
Operacioni, i koduar "Heroes-34", u krye së bashku nga skuadrat e zbulimit dhe antiterrorizmit të policisë, tha ministri Yerlikaya në platformën e mediave sociale X.
Nuk kishte asnjë informacion për përkatësinë kombëtare të të dyshuarve.
Grupi militant ka kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse në Turqi, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll më 1 janar të vitit 2017, ku u vranë 39 persona gjatë kremtimeve të Vitit të Ri.
Nuk ishte e qartë nëse operacioni i fundit ishte pjesë e një mase sigurie në prag të Vitit të Ri.
"Nuk do të ketë rehati për terroristët për hir të paqes, unitetit dhe solidaritetit të kombit tonë të dashur", tha ministri Yerlikaya, duke theksuar se “lufta jonë do të vazhdojë pandërprerë".
Ministria e tij postoi një video në rrjetin X që shfaq pamje të bastisjeve, duke përfshirë policinë e antiterrorizmit teksa thyen një derë, prangos të dyshuarit dhe i fut ata në makinat e policisë.