Lidhje

Kongres, ndihma për Ukrainën peng i mosmarrëveshjeve mbi kufirin jugor të SHBA


Kongresi përfundoi sesionin dhe filloi pushimet pa arritur një marrëveshje për sigurimin e kufirit jugor të vendit me Meksikën, që duket se po mban peng edhe 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, negociatat mbi këtë çështje pritet të vazhdojnë vitin e ardhshëm.

Kongres, ndihma për Ukrainën peng i mosmarrëveshjeve mbi kufirin jugor të SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 75 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe humanitare në Ukrainë që prej fillimit të sulmit rus në shkurt të vitit 2022.

Ndihma e re për këtë vend, prej 60 miliardë dollarësh, ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve mes demokratëve dhe republikanëve mbi sigurimin e kufirit jugor të vendit. Ajo është pjesë e një projekligji më të madh prej 106 miliardë dollarësh, që lidhet me çështje të sigurisë kombëtare.

Por kongresi i mbylli punimet për këtë vit dhe një marrëveshje mbi këtë çështje nuk pritet të arrihet të paktën deri në fillim të vitit të ardhshëm.

"Si demokratët dhe republikanët e kuptojnë se ka më shumë punë për të bërë për të miratuar ligjin, që ofron mbrojtje per sigurinë amerikane dhe të botës perëndimore", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Republikanët thonë se sigurimi i kufirit të vendit duhet të jetë prioritet. Por imigracioni ka qenë dhe mbetet një nga çështjet më të vështira të politikës amerikane dhe që nga fundi i viteve 1980, mbi këtë çështje, nuk është miratuar asnjë ligj madhor.

Ne nuk kemi miratuar një projektligj të rëndësishëm mbi imigracionin që nga mandati i dytë i Reganit. Ndaj dhe kjo nuk është e lehtë. Por ne po punojmë shumë për të siguruar një rezultat, sepse vendi ka nevojë për të dhe sa më shpejt”, tha Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës në Senat.

Në projektligjin e madh mbi sigurinë kombëtare, përfshihen edhe 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin, ndërsa ky vend po lufton ndaj militantëve të Hamasit. Por analistët thonë se kjo ndihmë është më pak urgjente.

Izraelitët po marrin atë që u nevojitet për të luftuar. Pjesa më e madhe e asaj që është në paketën e ndihmës është ndihmë afatgjatë, që lidhet me rindërtimin pas luftës, si dhe për t’u siguruar disa mjete të reja. Vetëm një sasi e vogël lidhet me konflikt aktual”, thotë Mark Cancian, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se në fund vitit ndihma për Ukrainën do të mbarojë. Analistët thonë se kjo do të sillte pasoja të menjëhershme.

Ndihma e Shteteve të Bashkuara, është jetike për mbështetjen ushtarake për këtë vend. Ndaj dhe do të kishte një krizë të vërtetë ushtarake nëse kjo nuk ndodh, si në përballjen në front që kërkon shumë municione dhe furnizime, ashtu edhe në mbrojtjen e infrastrukturës civile përmes mbrojtjes ajrore”, thotë Colin Cleary, ekspert i Universitetit George Washington.

Të martën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnkyy tha se ai vazhdon të jetë optimist mbi arritjen e një marrëveshjeje.

Jemi duke punuar shumë për të. Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të na tradhtojnë dhe se ajo që kemi arritur me Shtetet e Bashkuara do të mbështetet”.

Amerikanët që mbështesin Ukrainës thonë se dështimi i Perëndimit për të dërguar ndihmë në Ukrainë do t'i jepte fitoren Presidentit rus Vladimir Putin. Të martën ai tha se Rusia nuk do të heqë dorë kurrë nga pretendimi i saj mbi Ukrainën.

Kjo është ajo që duhet të kuptojnë të gjithë në Ukrainë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, apo kushdo që është agresiv ndaj Rusisë. Nëse ata duan të negociojnë, le ta bëjnë një gjë të tillë. Ne do ta bëjmë vetëm bazuar tek interesat tona”, tha ai.

Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të negociojnë edhe gjatë periudhës së festave, deri në fund të vitit, por një votim nuk ka të ngjarë të mbahet deri më 8 janar, kur Kongresi pritet të rifillojë sërish punimet.

XS
SM
MD
LG