Një person i armatosur vrau 14 persona dhe plagosi rëndë 24 të tjerë në një universitet të Pragës të enjten, përpara se të "eliminohej", sipas policisë dhe Departamentit të Shërbimeve të Urgjencës së Pragës.
Fillimisht në një njoftim zyrtar, në platformën sociale X, shkruhej se 11 persona ishin vrarë, përfshirë dhe personin e armatosur dhe 11 të tjerë ishin plagosur rëndë. Me pas numri i të vdekurve shkoi në 15, përfshirë dhe vetë autorin e dyshuar për sulmin.
Ngjarja ndodhi në departamentin e filozofisë të Universitetit “Charles”, ku studionte autori, tha shefi i policisë së Pragës, Martin Vondrasek.
Ai paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.
Policia nuk dha detaje mbi viktimat apo mbi motivet e mundshme të ngjarjes.
Zyrtarët e policisë besojnë se autori qëlloi për vdekje edhe të atin në vendlindjen e tij, më herët gjatë së enjtes dhe se ai kishte planifikuar të vriste veten.
Shefi i policisë tha se autori ishte një student i shkëlqyer që nuk kishte kryer krime të mëparshme, por nuk dha më tepër informacion.
Policia mbylli sheshin ngjitur me ndërtesën, që ndodhet në një zonë të frekuentuar të qytetit, e që të shpie në drejtim të Qytetit të Vjetër, që mbledh turistë të shumtë.
Një dëshmitar i tha faqes së lajmeve ‘iDnes.cz” se ndërsa zbriti në stacionin e tramvajit, pranë shkollës, "papritur kishte dëgjuar të shtëna".
Ndërkohë Klara, një studente, i tha faqes së lajmeve se ishte mes grupit të personave që policia kishte evakuuar nga ndërtesa.
“Ishte tmerrësisht e frikshme, kudo kishte shumë police me automatikë në dorë, të cilët bërtisnin duke na thënë të dilnim jashtë”, tha ajo.
Në një email dërguar personelit dhe studentëve shkruhej se person i armatosur ndodhej brenda njërës prej ndërtesave të universitetit.
“Mos shkoni askund nëse jeni në zyrë. Mbyllni dyert, u vendosni pas mobilje e fikni dritat”, shkruahej në email.
Një përdorues i rrjetit social X kishte postuar një foto të një grupi studentësh, të fshehur në një pjesë të ndërtesës.
Kryeministri Petr Fiala anuloi një udhëtim të tij për në lindje të vendit dhe ishte nisur drejt Pragës, sikurse shkruhej në faqen e tij në X.
Sulmet me armë janë relativisht të rralla në Republikën Çeke. Në dhjetor 2019, një person i armatosur 42-vjeç, vrau gjashtë persona në një spital në qytetin lindor çek të Ostravës, përpara se të largohej, e më pas të vetëvritej.
Në vitin 2015, një burrë qëlloi për vdekje tetë persona dhe më pas vrau veten në një restorant në Uhersky Brod.