Një juri vendosi t’i japë 148 milionë dollarë dëmshpërblim dy ish-punonjësve të zgjedhjeve në Xhorxhia, të cilat paditën avokatin Rudy Giuliani për shpifje dhe për gënjeshtrat që ai përhapi rreth tyre në vitin 2020, të cilat vështirësuan jetën e tyre dhe çuan në kërcënime dhe ngacmime raciste.
Vendimi i së premtes pason dëshminë me lot të Wandrea "Shaye" Moss dhe nënës së saj, Ruby Freeman, mbi pasojat e që përjetuan nga teoritë e rreme të nxitura nga Giuliani dhe aleatët e tjerë republikanë të Ish Presidentit Donald Trump.
Juria e shqyrtoi çështjen për më shumë se tre orë të enjten, pas një gjyqi tre-ditor në gjykatën federale të Uashingtonit. Zoti Giuliani tashmë është shpallur përgjegjës për shpifje për këtë rast.
Wandrea "Shaye" Moss dhe nëna e saj, Ruby Freeman, kërkuan dhjetëra miliona dollarë dëmshpërblime lidhur me pretendimet e rreme të zotit Giuliani që i akuzoi ato për mashtrime me votat ndërsa ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut po përpiqej të mbante në Shtëpinë e Bardhë republikanin Donald Trump pasi demokrati Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Ndërkohë, zoti Giuliani përballet me akuza të tjera lidhur me kohën kur shërbente si përfaqësues ligjir i zotit Trump.
Zoti Giuliani ka vazhduar të përsërisë teorinë e rreme të konspiracionit ku pretendon se dy gratë ndërhynë në zgjedhjet në Xhorxhia, përfshirë komentet e bëra të hënën para gazetarëve pas fillimit të gjyqit, argumentuan avokatët e dy grave në deklaratat përmbyllëse.
Avokatët kërkuan një dëmshpërblim prej të paktën 47 milionë dollarësh për ato që dy gratë përjetuan si rezultat i frikësimeve dhe kërcënimeve të jetës së tyre.
Avokati i zotit Giuliani ka pranuar se klienti i tij kishte gabuar, por ka këmbëngulur se ai nuk ishte plotësisht përgjegjës për problemet me të cilat u përballën gratë. Dëmshpërbilmet që kërkojnë gratë janë padrejtësisht të larta dhe do ta shkatërronin financiarisht zotin Giuliani, argumentoi avokati mbrojtës.
Zoti Giuliani tha se do të apelojë vendimin, duke e quajtur shumën e dhënë "absurde". Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut pranoi më parë në dokumentet e gjykatës se ai akuzoi në mënyrë të rreme gratë për manipulim të votave.