Lidhje

Osmani: Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të japë vlerësime për projekt statutin e Asociacionit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund të vlerësojë kushtetutshmërinë e projekt statutit të hartuar nga partnerët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëj këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha ajo.

Ajo i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlamentin e Kosovës, në të cilin foli për procesin e bisedimeve me Serbinë dhe përballjen me rreziqet e sigurisë.

Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Projekt statuti i Asociacionit që u bë publik kohët e fundit është kritikuar nga një pjesë e opozitës e cila vlerëson se ai dëmton karakterin unitar të shtetit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha gjatë javës se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia perëndimore mund të ketë hapësirë për përmirësime, por nënvizoi që procesi i themelimit të tij duhet të ecë përpara me shpejtësi. Ai shprehu shqetësimin me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave rreth Asociacionit, duke theksuar se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Presidentja Osmani tha se është me rëndësi që të gjithë, pa dallim partiak, të ulen dhe bashkërisht të përgatisin komentet rreth shqetësimeve të tyre me projekt statutin e Asociacionit.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, tha ajo.

Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti e cila nuk arriti të ulte tensionet ndërmjet palëve, që arritën një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Presidentja Vjosa Osmani tha gjatë fjalimit në parlament se mosndëshkimi i Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar për veprimet e 24 shtatorit, po e dëmton procesin e dialogut.

“Kosova akoma përballet me masa të padrejta, jopropocionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdoj të përdorë dhunë. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se ngjarjet në Banjska ishin vetëm një paralajmërim nga Serbia e cila, sipas saj, nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta. Ajo tha se Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën sepse po punon për interesa të faktorëve keqdashës që kanë për qëllim ta godasin BE-në dhe NATO-n nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Fjalimi i presidentes Osmani, nuk u ndoq nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, të cilat thonë se presidentja është duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe se ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit.

XS
SM
MD
LG