Irani tha të dielën se kishte filluar gjyqin ndaj një shtetasi suedez të punësuar nga Bashkimi Evropian, i cili akuzohet për spiunazh për Izraelin dhe "korrupsion në tokë", një krim që dënohet me vdekje.
Suedia njoftoi të shtunën se kishte filluar gjyqi ndaj Johan Floderus, i cili u arrestua në prill të vitit 2022 ndërsa ishte me pushime në Iran, por pa sqaruar akuzat ndaj tij.
Agjencia iraniane e lajmeve ‘Mizan’ tha në një lajm në internet të dielën se kishte filluar gjyqi ndaj zotit Floderus nën akuzat për “korrupsion në tokë, aktivitete kundër sigurisë kombëtare dhe bashkëpunim të gjerë spiunazhi me regjimin zionist”, që nënkupton Izraelin. Korrupsioni në tokë është një vepër e rëndë sipas ligjeve islamike të Iranit.
“Johan Floderus është arrestuar në mënyrë arbitrare dhe çdo akuzë është e rreme”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Suedisë në një koment të dërguar me email për agjencinë e lajmeve Reuters të dielën. “Këtë ia kemi bërë të qartë Iranit në nivele dhe kohë të ndryshme, së fundmi dje”.
Familja e zotit Floderus ka thënë se ai u arrestua “pa ndonjë shkak të justifikueshëm apo proces të rregullt”.
Grupe të të drejtave dhe qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Republikën Islamike se po përpiqet të sigurojë lëshime politike nga vendet e tjera përmes arrestimeve me akuza sigurie që mund të jenë të sajuara. Teherani thotë se arrestimet bazohen në kodin e tij penal dhe mohon se ndalon njerëz për arsye politike.
Marrëdhëniet midis Suedisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara që nga viti 2019 kur Suedia arrestoi një ish-zyrtar iranian për rolin e tij në ekzekutimin masiv dhe torturimin e të burgosurve politikë në Iran në vitet 80. Ai u dënua me burgim të përjetshëm vitin e kaluar, duke bërë që Irani të tërheqë të dërguarin e tij në Suedi në shenjë proteste.
Irani thotë se zoti Floderus kishte shfrytëzuar projektet e institucioneve amerikane dhe evropiane për të mbledhur të dhëna sekrete për Izraelin, ndërsa tha se një tjetër seancë dëgjimore do të njoftohet së shpejti.