Lidhje

Presidenti Biden u bën thirrje republikanëve të miratojnë ndihma të reja për Ukrainën


US President Joe Biden delivers remarks urging Congress to pass his national security supplement request, which includes funding to support Ukraine, in the Roosevelt Room of the White House in Washington, DC, on December 6, 2023.
US President Joe Biden delivers remarks urging Congress to pass his national security supplement request, which includes funding to support Ukraine, in the Roosevelt Room of the White House in Washington, DC, on December 6, 2023.

Presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje republikanëve të miratojnë propozimin për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën të mërkurën, duke paralajmëruara se një fitore e Rusisë ndaj Ukrainës do të krijonte kushtet që Moska më pas të sulmonte aleatët e NATO-s.

Presidenti Biden i bëri komentet ndërsa Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të njoftojnë dhënien e një ndihme shtesë prej 175 milionë dollarësh për Ukrainën nga fondet e pakësuara, tashmë të miratuara nga Kongresi, për Kievin.

“Nëse Putini e merr Ukrainën, ai nuk do të ndalonte aty”, tha Presidenti Biden. Putini do të sulmonte më pas një aleat të NATO-s dhe do të na detyronte të “dërgonim trupa amerikane për të luftuar kundër trupave ruse”, theksoi ai.

“Nuk mund ta lejojmë Putinin të fitojë”, tha Presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi këtë javë se fondet tashmë të miratuara për Ukrainën po pakësohen dhe nuk ka mbetur shumë kohë për miratimin e ndihmave të reja për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Në mes të nëntorit, Departamenti i Mbrojtjes kishte përdorur 97 për qind të ndihmës prej 62.3 miliardë dollarësh nga fondi për Ukrainën, i miratuar nga Kongresi, dhe se Departamenti i Shtetit kishte përdorur të gjithë fondin prej 4.7 miliardë dollarësh të ndihmave ushtarake për Ukrainën, tha këtë javë Drejtorja e Zyrës për Menaxhimin e Buxhetit, Shalanda Young.

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë autorizim për përdorim të një fondi prej më pak se një miliardë dollarësh për Ukrainën. Nëse Kongresi nuk miraton fonde të reja për blerjen e pajisjeve dhe Departamenti i Mbrojtjes mbetet pa fonde për këtë çështje, Ukraina dhe kompanitë e prodhimit të armëve duhet të gjejnë mënyra të tjera për të siguruar më shumë armë për luftën kundër Rusisë.

Siguria në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën është një nga çështjet më të mëdha që kanë qenë pengesë në negociatat mbi miratimin e ndihmave të reja për Ukrainën dhe Izraelin.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat mbështesin përpjekjet e reja për ndërtimin e një muri kufitar, një nga objektivat kryesor të ish Presidentit Trump, dhe ndryshimin e politikave të azilit, duke detyruar azilkërkuesit që të presin në Meksikë ndërsa zyrat e imigracionit shqyrtojnë kërkesat e tyre për strehim në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden ka thënë se ai është i gatshëm të bëjë kompromise “të mëdha” rreth çështjes së kufirit, por theksoi se republikanët nuk do të marrin të gjitha gjërat që i kërkojnë. “Këto janë negociata”, tha ai.

XS
SM
MD
LG