Lidhje

Takimi i nivelit të lartë Turqi-Greqi synon uljen e tensioneve të vjetra


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, viziton nesër Greqinë për një takim të nivelit të lartë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli, Dorian Jones, takimi vjen pas vitesh tensionesh që i sollën dy vendet anëtare të NATO-s në prag të luftës.

Takimi i nivelit të lartë Turqi-Greqi synon uljen e tensioneve të vjetra
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Pas vitesh tensionesh në rritje mbi mosmarrëveshjet territoriale në detin Egje dhe Mesdhe, ku besohet se ekzistojnë rezerva të mëdha energjetike dhe ndarjes prej dekadash të Qipros midis komuniteteve greke dhe turke, takimi i Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan me Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë të enjten, është një mundësi afrimi thonë ekspertët.

“Gjatë muajve të fundit ka patur ulje tensionesh, por vendet ende nuk janë afruar. Në vizitën e ardhshme të presidentit turk në Greqi do të jetë interesante të shihet nëse palët janë të gatshme të kthejnë uljen e tensioneve në një proces afrimi” - thotë analisti politik Ioannis Grigoriadis, nga Universiteti Bilkent.

Fatkeqësitë natyrore që kanë përjetuar të dyja vendet thyen ciklin e tensioneve dypalëshe. Athina dërgoi ndihma në Turqi pas tërmeteve vdekjeprurëse në shkurt dhe Ankaraja bëri të njëjtën gjë kur Greqia po përballej me zjarret vdekjeprurëse.

Por, analistët paralajmërojnë se mosbesimi i ndërsjellë vazhdon. Prandaj, takimi ka të ngjarë të përqendrohet në interesat e përbashkëta.

“Tek çështjet e vogla si rritja e tregtisë, rritja e investimeve, turizmi, asgjë tjetër” - thotë analisti politik Alexis Heraclides nga Universiteti Panteion.

Presidenti Erdogan udhëton me një delegacion të përbërë nga 200 ministra, diplomatë dhe biznesmenë, një tregues se të dyja palët synojnë të përqëndrohen në tregti dhe zgjerim të bashkëpunimit. Analistët thonë se kjo mund të ndihmojë një krijimin e urave të besimit dhe hapjen e rrugës për trajtimin e mosmarrëveshjeve thelbësore.

"Rritja e bashkëpunimit në këto fusha me interes të ndërsjellë, përfundimisht do të çojë në bisedime të reja mbi mosmarrëveshjet në Egje dhe çështje e tjera të mëdha midis dy palëve. Mendoj se është një situatë ku duhet të presim dhe shohim” - thotë Berkay Mandiraci nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Por ushtritë e Greqisë dhe Turqisë po përforcohen, duke rritur praninë në detin e kontestuar Egje, ndërsa Qiproja vazhdon të jetë e ndarë.

Ekspertët paralajmërojnë se ngjarjet e fundit në botë duhet të shërbejnë si mësim se për të shmangur përshkallëzimin, tensionet duhet të trajtohen.

“Përvoja me Ukrainën ose Gazën na tregon se konfliktet e ngrira nuk janë një zgjidhje e mençur, sepse një konflikt i ngrirë mund të ndizet dhe përshkallëzohet në mënyrë të pashembullt” - thotë analisti Ioanis Grigoriadis.

Zgjedhjet kanë dëmtuar përpjekjet e mëparshme të afrimit, pasi partitë politike nxitën ndjenjat anti-greke dhe anti-turke në programet e tyre, me qëllimin për të joshur votuesit nacionalistë.

Por këtë vit, Kryeministri Mitsotais dhe Presidenti Erdogan u rizgjodhën me mandate të qëndrueshme. Ata nuk do të përballen me zgjedhje kombëtare për katër vite të tjera. Ekspertët thonë se kjo është një mundësi e rrallë për të lënë mënjanë ndasitë dhe për t’u angazhuar drejt pajtimit.

XS
SM
MD
LG