Lidhje

Izraeli dhe Hamasi zgjasin armëpushimin, por përparimi i mëtejshëm mund të jetë i vështirë


Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje të minutës së fundit të enjten për të zgjatur armëpushimin edhe për një ditë, ndërsa ndërmjetësit vazhduan bisedimet për mundësinë e zgjatjes së mëtejshme të afatit të tij. Kjo do të bënte të mundur lirimin e pengjeve të tjera dhe hyrjen e ndihmave në Gazë.

Megjithatë një sulm vdekjeprurës në Jeruzalem ku persona të armatosur vranë të paktën tre vetë, ishte një kujtesë e rrezikut për përhapjen e dhunës. Dy autorët e sulmit në një stacion autobuzi ishin vëllezër palestinezë. Policia tha se ata u "neutralizuan".

“Kjo ngjarje dëshmon sërish se ne nuk duhet të tregojmë dobësi, se duhet t'i flasim Hamasit vetëm përmes armëve, vetëm përmes luftës”, tha ministri i djathtë i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

Izraeli, i cili i ka kërkuar Hamasit lirimin e të paktën 10 pengjeve në ditë për të vazhduar armëpushimin, tha se kishte marrë minutën e fundit një listë të personave që do të lirohen të enjten dhe anuloi planet për të rifilluar sulmet në mëngjes.

"Në dritën e përpjekjeve të ndërmjetësve për të vazhduar procesin e lirimit të pengjeve dhe në përputhje me kushtet e marrëveshjes, pauza në luftime do të vazhdojë," tha ushtria izraelite në një deklaratë.

Edhe Hamasi, që liroi 16 pengje të mërkurën, tha gjithashtu se armëpushimi do të vazhdojë për të shtatën ditë. Izraeli liroi 30 të burgosur palestinezë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ndodhet në Izrael për vizitën e tij të tretë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës, tha se armëpushimi "po prodhonte rezultate dhe shpresojmë që të vazhdojë".

"Kemi parë gjatë javës së fundit një zhvillim shumë pozitiv me kthimin e pengjeve në shtëpitë e tyre, duke u bashkuar me familjet e tyre. Dhe kjo duhet të vazhdojë sot," tha ai. "Kjo ka mundësuar gjithashtu një rritje të ndihmës humanitare për civilët e pafajshëm në Gazë, të cilët kanë nevojë të jashtëzakonshme për të."

Megjithatë bisedimet mund të bëhen më të vështira, duke qenë se Hamasi tashmë ka liruar shumicën e grave dhe fëmijëve të rrëmbyer gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit në Izrael që ndezi konfliktin. Në këto kushte, militantët mund të vendosin kushte të reja në këmbim të lirimit të meshkujve dhe ushtarëve.

Deri tani, gjatë armëpushimit, militantët kanë liruar 97 pengje: 70 gra dhe fëmijë izraelitë, secili i liruar në këmbim të tre grave palestineze dhe të burgosurve adoleshentë, plus 27 pengje të huaj të liruar sipas marrëveshjeve paralele me qeveritë përkatëse.

XS
SM
MD
LG